SHBA kërkon nga Ukraina të ndërmarrë reforma ekonomike
Kiev, 29 shtator - Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për investime në Ukrainë, por vendi fillimisht duhet të ndërmarrë reforma ekonomike të vështira, deklaroi në Kiev sekretarja amerikane e Tregtisë, Penny Pritzker, duke bërë paralelizma me planin Marshall.
Ukraina është përballë sfidash ekonomike të rëndësishme, deklaroi Penny Pritzker për median pas një takimi me Presidentin Petro Poroshenko, i cili shpalli të enjten një seri reformash ekonomike dhe sociale për të modernizuar vendin me synimin e një kandidature në Bashkimin Evropian deri në vitin 2020.
Këto masa do të jenë të vështira, por ato mund të ndryshojnë fatin e vendit tuaj, deklaroi Pritzker, duke folur për një ekonomi ukrainase të rënduar nga pesha administrative, korrupsioni dhe paefektshmëria e trashëguar nga epoka sovjetike.
Pritzker, e cila është vetë me origjinë nga Ukraina, përmendi ndihmën amerikane të sjellë nëpërmjet Planit Marshall në Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.
Plani Marshall parashikonte miratimin e një numri të lartë reformash, që kishin për synim hapjen e ekonomisë ndaj investimeve të huaja dhe ky është objekti i bisedës sonë, tha ajo.
Duke përshëndetur krerët ukrainas për vizionin e tyre ambicioz, ajo vlerësoi se masat konkrete janë të nevojshme që nga ky çast.
Kryeministri ukrainas, Arseni Jatseniuk, pranoi së fundmi se qeveria e tij nuk ka përparuar aspak në luftën kundër korrupsionit, por fajin e kësaj vonese ia vuri problemeve me Moskën dhe konfliktit separatist prorus në lindje të vendit.