SHBA kalon nga një krizë financiare tek tjetra
Washington, 16 tetor - Një analizë e re ekonomike ka arritur në përfundimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë dëmtuar ekonominë në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, duke kaluar nga një krizë financiare tek tjetra.
Firma kërkimore Macroeconomic Advisers thotë se pasiguria e politikave financiare dhe pakësimi i shpenzimeve të konsumatorëve i kanë kushtuar çdo vit ekonomisë amerikane, më të madhen të botës, një përqind të rritjes ekonomike që nga fundi i vitit 2009.
Raporti thotë se përsëritja e marrjes së vendimeve për shpenzimet qeveritare dhe vendimet tatimore në minutën e fundit kanë rezultuar në më shumë se dy milionë vende pune të humbura dhe e kanë çuar shkallën e papunësisë të Shteteve të Bashkuara 0,6 përqind më e lartë nga sa do të ishte ndryshe.
Edhe pse ajo ka qenë në rënie graduale, shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara është ende e lartë në 7,3 për qind, ndërsa ekonomia amerikane lufton për të rifituar forcën nga rënia ekonomike më e rëndë që nga viti 1930.
Autori i raportit, ekonomisti Joel Prakken, i tha Zërit të Amerikës se konflikti i gjatë në Uashington rreth rolit të qeverisë në jetën e amerikanëve ka rezultuar në mosmarrëveshje të vazhdueshme legjislative mbi politikat e shpenzimeve dhe të taksimit.