SHBA, jep 1.5 milionë dollarë për trashëgiminë kulturore në Kosovë
Prishtinë, 31 maj - Qeveria amerikane ka ndarë një donacion prej 1,5 milionë dollarësh amerikanë, në mbështetje të projekteve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky donacion i është dorëzuar Ministrisë së Kulturës në Kosovë, nga ana e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili ngjarjen e sotme e ka cilësuar si ndihmë Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë dhe kulturën e saj.
Kosova gëzon një trashëgimi të mrekullueshme dhe të shumëllojshme kulturore, që prej gërmadhave ilirike dhe romake, e deri tek kishat dhe manastiret mesjetare serbe, e shtëpitë e bukura në Prizren dhe gjetkë të shekullit 19-të, ka thënë Dell.
Trashëgimia kulturore, theksoi Dell, nuk është pjesë e rëndësishme vetëm e së kaluarës së Kosovës, por edhe e së ardhmes së saj.
Projektet e përzgjedhura në një konkurrim të hapur e që do të përfitojnë nga ky donacion janë: restaurimi i Kalasë së Vushtrrisë, i Hidrocentralit të vjetër në Prizren, restaurimi i një kishe në Prizren, një kishe tjetër në fshatin Hoçë e Madhe, Shtëpia e Shehzades në Prizren dhe projekti i fundit ka të bëjë me digjitalizimin e freskave në Manastirin e Graçanicës.