SHBA japin 1 miliad dollarë në mbrojtje të Europës
Washington, 4 qershor - Presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje Rusisë të ndihmojë për të ndalur separatistët prorusë në lindje të Ukrainës dhe të përdorë ndikimin e saj për të bindur militantët që të mbështesin paqen. Obama foli dje në Varshavë, në ndalesën e tij e parë në tre vende të Europës që pritet të dominohet nga kriza në Ukrainë.
Presidenti Obama tha se homologu i tij polak Bronislaw Komorovski është dakord me mendimin se provokimet e mëtejshme nga Rusia do ti kushtojnë Kremlinit, përfshi mundësinë e sanksioneve të tjera.
Parimet bazë për integritetin territorial, sovranitetin dhe lirinë, mundësinë e njerëzve për të vendosur vetë të ardhmen e vendit të tyre, janë gur themeli për paqen dhe sigurinë që kemi parë në Europë për disa dekada dhe që tani kërcënohet nga veprimet e Rusisë në Krime dhe nga akvititetet ruse në lindje të Ukrainës.
Obama tha se nuk beson se Ukraina duhet të zgjedhë mes marrëdhënieve të mira me Europën apo me Rusinë.
Presidenti amerikan propozoi gjithashtu një nismë prej 1 miliardë dollarësh për stërvitjen ushtarake dhe rotacionin e trupave në Europë, duke përfshirë më shumë dislokime në Detin e Zi dhe atë Balltik. Ai tha se nisma tregon përkushtimin e palëkundur të Amerikës ndaj aleatëve të NATO-s.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se, Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë ushtarake në Europë për shkak të sfidave të reja të sigurisë në kontinent.\"
Pasi mbërriti në Varshavë, Obama diskutoi mbështetjen për rritjen e pranisë së NATO-s në Europë në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Rusia në mars.
\"Po e filloj vizitën këtu, pasi angazhimi ynë për sigurinë e Polonisë, si dhe për sigurinë e aleatëve tanë në Europën Qendrore dhe Lindore është gur themeli i vetë sigurisë sonë, dhe kjo është e shenjtë.\"
Presidenti amerikan Obama dhe homologu i tij Komorovski janë organizatorët e një takimi më të gjerë me udhëheqës e tjerë nga vendet e Europës Qendrore.
Turneu i liderit amerikan vjen ndërsa qeveria e Ukrainës po lufton kundër separatistëve prorusë.
Ai do të takohet me presidentin e zgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko para se të largohet nga Polonia të mërkurën.
Presidenti Obama do të takohet gjithashtu me aleatët e Shteteve të Bashkuara të mërkurën dhe të enjten në Bruksel në një takim të organizuar në minutën e fundit, pasi udhëheqësit vendosën të bojtokojnë takimin e grupit të tetëshes që Rusia do të organizonte këtë javë në Soçi.
Bojkotimi ishte në përgjigje të inkursionit rus në Krime në mars. Në Francë, Obama do të flasë të premten në Omaha të Normandisë në një ceremoni që do të shënojë 70 vjetorin e ditës së fitores kundër forcave naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Mësohet që presidenti rus Vladimir Putin do të jetë gjithashtu i pranishëm. Nuk është planifikuar asnjë takim mes tyre, por kryeministri britanik David Cameron ka në plan të takohet me presidentin Putin në Normandi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Obama mund të zhvillojë një bisedë personale me kancelaren gjermane Angela Merkel. Flitet edhe për një takim të shefit të Kremlinit me presidentin ukrainas Poroshenko.