SHBA: Hapa përpara drejt kompromisit fiskal
Washington, 18 dhjetor - Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kundërshtarët e tij politikë në Kongress po lëvizin pak më pranë drejt arritjes së një kompromisi rreth çështjeve të diskutueshme financiare të fund-vitit.
Në bisedimet e sotshme nuk u arrit ndonjë marrëveshje, por zyrtarët thanë se Kryetari i Dhomës së Parfaqësuesve të kontrolluar nga Partia Republikane, John Boehner për herë të parë ofroi shtimin e taksave për familjet e pasura me të ardhura mbi 1 milion dollarë në vit dhe për të shtuar kufizimin e marrjes së kredive.
Presidenti Obama, i cili u ri-zgjodh muajin e kalaur për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë ka bërë fushatë për rritjen e taksave ndja familjeve me të ardhura më tepër se 250 mijë dollarë në vit, por oferta e zotit Boehner le të kuptohet se ka shumë mundësi që të dyja palët mund ende të arrijnë një marrëveshje.
Presidenti Obama dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Boehner po përpiqen të shmangin një të ashtuquajtur katastrofë fiskale që ka të bëjë me një shkurtim të detyruar të shpenzimeve prej 500 miliardë dollarësh dhe shtimin e taksave të cilat do ti ndjejnë gati të gjithë punonjësit amerikanë, duke filluar nga një janari në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje për një plan të ri fiskal.