SHBA: Ekonomia përmirësohet në 6 muajt e ardhshëm
New York, 15 qershor - Ekonomistët e disa prej bankave më të mëdha të Shteteve të Bashkuara thonë se pritet që ekonomia të përmirësohet gjatë 6 muajve të ardhshëm.
Një raport i bërë publik sot nga Shoqata e Bankierëve Amerikanë, parashikon se rritja e prodhimit të brendshëm do të jetë 3% deri në fund të vitit, dhe do të qëndrojë në këto nivele edhe gjatë 2012-ës.
Sipas kësaj shoqate, kjo rritje do të ndikojë në hapjen e 2 milion vendeve të punës këtë vit dhe hapjen e 2.5 milion vendeve të reja vitin e ardhshëm. Sipas këtij raporti, kjo rritje mund të ulë papunësinë, nga 9% që ishte në muajin maj të këtij viti, nën 8% në fund të vitit 2012.
Pavarësisht perspektivës optimiste, raporti i Shoqatës së Bankierëve thotë se konsumatorët mbeten të shqetësuar, me shpenzimet që rriten më ngadalë se investimet.
Po sot, Departamenti i Tregtisë tha se blerjet me pakicë ishin më të ulëta në muajin maj si pasojë e një rënie të ndjeshme në shitjen e makinave.
Raporti i sotëm thotë se shitja e makinave në Shtetet e Bashkuara u ngadalësua si pasojë e tërmetit dhe cunamit të 11 marsit në Japoni, i cili ndikoi tek prodhimi i pjesëve të këmbimit për makinat.