SHBA do të vazhdoj mbeshtjetjen për Kosovën edhe në të ardhmen
Prishtinë, 13 maj - Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu ka pritur në vizitë drejtorin e Zyrës për Evropë dhe Euro-Azi nga Thesari Amerikan Jeffrey Baker.
Me këtë rast zëvendësministri Avdiu në emër të Ministrisë së Financave falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin dhe për ndihmën që i ka dhënë Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe politik gjatë këtyre viteve, e në veçanti për ngritjen e kapaciteteve në Ministrinë e Financave.
Ndër tjera ai tha Ne si Ministri e Financave ndihemi të privilegjuar se që nga themelimi kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane dhe këshilltarëve të saj nga Departamenti i Thesarit amerikan dhe USAID-i.
Në këtë takim gjithashtu është diskutuar për situatën makrofiskale në Kosovë, ku zëvendësministri Avdiu ka informuar Baker për rrjedhat makroekonomike në Kosovë, për trendin e të hyrave, dhe për ekzekutimin e buxhetit.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për Evropë dhe Euro-Azi nga Thesari Amerikan Jeffrey Baker, duke shprehur falënderimin për pritjen nga zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu tha se SHBA do të vazhdoj të ofrojë ndihmë dhe mbështetje për Kosovën edhe në të ardhmen duke përfshirë këtu edhe ndihmën për Ministrinë e Financave.
Ai gjithashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritashëm në mes të dy vendeve.