16 Janar 2025

SHBA disa orë para greminës fiskale

Washington, 1 janar - Presidenti Barack Obama tha sot se marrëveshja fiskale "është e realizueshme, por nuk është arritur ende".

"Ka ende çështje të pazgjidhura, por ne kemi shpresa se Kongresi mund ta realizojë", tha Presidenti Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara po i afrohen gjithnjë e më shumë asaj që njihet si gremina fiskale, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë dhe anëtarët e kongresit përpiqen të arrijnë një kompromis të minutës së fundit. Ligjvënësit amerikanë u mblodhën sot përsëri në përpjekje për të arritjen e një marrëveshje pa të cilën do të ketë rritje automatike të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve që hyjnë në fuqi më 1 janar. Analistët thonë se pa një marrëveshje masat shtrënguese mund t’i shtyjnë Shtetet e Bashkuara në një tjetër recesion.

Çdo marrëveshje e mundshme ka të ngjarë të miratohet së pari në senat i cili fillon seancën në mesditë, pasi bisedimet e zgjeruara të djelën nuk rezultuan në ndonjë përparim.

Nënpresidenti Joe Biden zhvilloi negociata me udhëheqësin e pakicës në Senat Mitch McConnell për hollësitë e një kompromisi. Por nuk pati përparim, përfshi në mundësinë për të shtyrë shkurtimin e shpenzimeve .
 
Ditë të tëra negociatash intensive nuk kanë dhënë rezultat, u shpreh udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid.

“Ende ekzistojnë dallime të thella mes të dyja palëve, megjithatë negociatat vazhdojnë”, tha zoti Reid.

Senati e kaloi afatin e së dielës për të arritur një marrëveshje ndërpartiake, megjithë thirrjen e Presidentit Obama.

“Përparësia jonë kryesore është të sigurohemi se taksat për klasën e mesme nuk ngrihen, diçka që do të dëmtonte rëndë ekonominë tonë”, tha Presidenti Obama dje në një emision televiziv.

Në fakt mosmarrëveshjet partiake u thelluan dje kur republikanët propozuan që shtimi i përfitimeve nga sigurimet shoqërore në të ardhmen të bëhet në ritme më të ulta. Kjo do të prekte të ardhurat e pensionistëve. Demokratët e kundërshtojnë kategorikisht këtë ide.

“Ne nuk do të pranojmë shkurtimin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore, veçanërisht nëse një marrëveshje e tillë do të përfshinte përfitime për të pasurit”, tha zoti Reid.

Republikanët hoqën dorë menjëherë nga propozimi i tyre, por akuzuan demokratët për zvarritje të bisedimeve:

“Nuk ekziston as edhe një çështje e vetme, që nuk mund të zgjidhet. Dua që çdokush ta dijë se unë jam i gatshëm ta zgjidh këtë situatë, por unë kam nevojë për një partner vallzimi”, u shpreh senatori McConnell.
 
Stresi i afrimit të afatit të fundit në mesnatë duket qartë mes ligjvënësve. Anëtarë të të dyja partive thonë se duan ta shmangin greminën fiskale dhe pasojat e rënda që do të shkaktonte për vendin.

“Nuk ka asnjë arsye që në këtë tokë të bukur të Zotit ne të mos mund të arrijmë një marrëveshje”.

Disa republikanë vazhdojnë të kundërshtojnë insistimin e demokratëve për ngritjen e taksave për më të pasurit.

“Sa më shumë njerëz që përfshihen në kategorinë e ngritjes së madhe të taksave, aq më keq do të jetë për ekonominë, për bizneset e vogla dhe për punëtorët”, tha senatori republikan Jon Kyl.

Në se Senati i kontrolluar nga demokratët voton për një marrëveshje kompromisi, Dhoma e udhëhequr nga republikanët duhet ta miratojë më pas masën. Presidenti mund ta nënshkruajë atë më pas të hënën për të mënjanuar rritjen automatike të taksave për gati të gjithë amerikanët të martën.

Mesnata e sotme është afati i fundit për shmangien e asaj që njihet si gremina fiskale, që do të shoqërohet me shkurtime të mëdha shpenzimesh dhe ngritje taksash për të gjithë taksapaguesit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)