SHBA dhuron pajisje për Doganën e Kosovës
Prishtinë, 5 korrik - Sot në Drejtorinë e Doganës së Republikës së Kosovës është mbajtur ceremoni solemne, ku përfaqësues të lartë të ambasadës amerikane kanë dhuruar pajisje për Doganën dhe Policinë kufitare të Kosovës.
Pajisjet e dhuruara nga Ambasada Amerikane nëpërmjet programit të tyre EXBS janë pajisje për kontrolle të specializuara si dhe pajisje tjera të cilat mundësojnë njësitet e doganës parandalimin e kontrabandës dhe mallrave ilegale.
Naim Huruglica Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës ka thënë se Qeveria amerikane në vazhdimësi është duke e ndihmuar doganën e Kosovës, ku deri tani përmes projektit EXBS ne kemi përfituar pajisje me vlerë afër 1 milion euro.
Këto pajisje sipas tij kanë ndihmuar që të dyfishohet numri i zbulimeve të mallrave të ndaluara.
\"Donacioni i sotëm edhe më tej do të lehtësoj punën e oficerëve tanë dhe do të vështirësoj punën e kontrabandistëve. Falenderojmë qeverinë amerikane për ndihmën e vazhdueshme, tha me ketë rast Huruglica.
Ushtruesja e detyrës së zëvendës ambasadorit znj. Dana Brown ndër të tjera tha Jam e lumtur sot të shënoj donacionin e radhës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne shpresojmë që pajisjet e reja do të ndihmojë zyrtarët e doganave dhe të kufijve të Kosovës për të bërë punën e tyre në mënyrë efektive dhe të mirë.