SHBA dhe Kina bisedojnë për ekonominë
Washington, 11 korrik - Dje u hap në Washington, raundi i pestë i dialogut strategjik ekonomik kino-amerikan.
Shefi i Rezervave Federale Ben Bernanke la të kuptohet se SHBA-ja do të ndalojë politikën e lehtësimit sasior. Në këtë sfond, dialogu midis Kinës dhe SHBA-së mbi politikën makro-ekonomike tërhoqi vëmendjen.
Disa ekspertë janë të mendimit se shkëmbimet dhe dialogu midis dy ekonomive më të fuqishme të botës, do të shtojnë njohjen reciproke për politikat makro-ekonomike të njëra-tjetrës.
Gjatë këtij dialogu, mund të arriten rezultate thelbësore, të cilat do të nxitin pozitivisht ringjalljen ekonomike globale. Por disa ekspertë theksojnë se qeveria kineze duhet të bëjë planifikimin e duhur, për të shmangur goditjet dhe ndikimet nga ndalimi i politikës së lehtësimit sasior të SHBA-së.
Studiuesi i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne të Kinës Wei Liang analizon se Kina dhe SHBA-ja janë dy vendet me PPB-në më të madh global e ndryshimi i politikave ekonomike të tyre do të ketë ndikime globale.
Nëse të dyja palët mund të bashkërendojnë politikat makro-ekonomike, ato do të ulin ndikimet negative ndaj palëve të tjera, madje do të sjellin përfitime për të gjithë.
Zv-kryetari i Institutit për Çështjet Fiskale dhe Financiare të Universitetit Renmin të Kinës, Zhao Xijun është i mendimit se Dialogu Strategjik Ekonomik kino-amerikan favorizon shkëmbimin e informacioneve dhe opinioneve midis dy vendeve, të cilat mund të nxitin konsensusin.
Me gjetjen e gjuhës së përbashkët sektorët vendimtarë të vendit, mund të ndërrmarrin masa praktike dhe me efekte thelbësore.
Disa analistë thonë se Kina duhet të përgatitet sa më parë për të përballuar goditjen dhe ndikimet nga ndryshimi i politikës monetare amerikane. Studiuesi i Institutit për Çështjet Financiare të Akademisë Sociale e Shkencore të Kinës, Yi Xianrong thotë se ndalimi i politikës së lehtësimit sasior nga SHBA-ja do të ndikojë shumë te Kina dhe vendet e tjera, pasi mjedisi global ka ndryshuar.
Tregjet e aksioneve dhe të kapitaleve kineze do të goditen. Një sasi kapitalesh që u investuan në Kinë më parë, do të largohen drejt tregjeve amerikane.
Prandaj, çmimet e pasurive të paluajtshme në Kinë mund të pësojnë një ulje të madhe në të ardhmen. Qeveria kineze duhet të hartojë politikat përkatëse, për të ulur efektet e goditjes në tregjet e kapitaleve.
Shumë studiues shprehen se megjithëse ndalimi i politikës së lehtësimit sasior nga SHBA-ja do të shkaktojë goditje afatshkurtër, ajo do të sjellë edhe përfitime të mëdha për ekonominë botërore në një periudhë afatgjatë. Prandaj, bashkërendimi i potikave makro-ekonomike mes Kinës dhe SHBA-së, e mes vendeve të ndryshme, do të ndihmojë në ringjalljen ekonomike globale