SHBA akuzon Credit Suisse"
Washington, 26 shkurt - Credit Suisse ka ndihmuar klientët amerikanë të fshehin llogaritë e tyre zviceriane dhe të shmangin miliarda dollarë taksa në Amerikë, akuzon një raport i publikuar së fundi.
Në të pretendohet se banka ka hapur llogari zviceriane për më shumë se 22 mijë klientë amerikanë, me asete që kapin shifrat e 12 miliardë dollarëve, në momentin më lulëzues të tyre.
Raporti akuzon bankierët se kanë ndihmuar klientët të krijojnë subjekte të mbrojtura jashtë kufijve, si dhe të krijojnë transaksione për të shmangur çdo dyshim të mundshëm. Credit Suisse ka hedhur poshtë menjëherë komentet.
Duke nisur nga viti 2001, të paktën, e deri në 2008, punonjësit bankarë kanë ofruar praktika që lehtësonin evazionin fiskal të klientëve amerikanë, thuhet në raportin e një komiteti të Kongresit amerikan.
Në të shtohej se paktikat përfshinin hapjen e llogarive të padeklaruara zviceriane apo llogarive për të maskuar pronësinë amerikane të tyre, si dhe dërgimin e bankierëve zvicerianë në SHBA për të rekrutuar klientë të rinj dhe për tu ofruar atyre llogari ekzistuese zviceriane, pa lënë gjurmë nëpër dokumente.
Hetuesit amerikanë u janë vënë pas 14 bankave zviceriane, të cilat akuzohen se kanë ndihmuar amerikanë të pasur për të shmangur taksat amerikane.
Departamenti i menaxhimit bankar dhe pasurive private të Credit Suisse ka lënë gjithashtu mënjanë 175 milionë franga zviceriane, për të luftuar një hetim të amerikanëve mbi llogaritë e fshehura të shtetasve të tyre jashtë kufijve, veçanërisht në Zvicër.
Banka ka deklaruar se po punon për gjetjen e një zgjidhjeje së bashku me autoritetet amerikane, por pa dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të arrihet zgjidhja. Raporti publikon gjithashtu edhe detajet e mënyrave se si ka funksionuar banka, për ti mbajtur llogaritë e tyre të fshehta ndaj autoriteteve amerikane.
Disa bankierë, thuhet në raport, kanë aplikuar për viza amerikane Waiver (që u lejojnë pjesëmarrësve në këtë program të udhëtojnë në SHBA pa viza për qëndrimet deri në 90 ditë), me pretendimin se kanë planifikuar të vizitojnë vendin për turizëm, në një kohë që kanë pasur qëllime biznesi.