SHBA, 5 milionë dollarë ndihma për Ukrainën
Kiev, 5 qershor - Shtetet e Bashkuara i ofruan Ukrainës 5 milionë dollarë ndihmë me pajisje jo-luftarake në përpjekjet e tyre për të përballuar separatistët prorusë në lindje të vendit.
Presidenti Barack Obama njoftoi dje shumën që do të përdoret për blerjen e mburojave ushtarake, dylbive të vrojtimit dhe pajisjeve të komunikacionit gjatë takimit me presidentin e zgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko në Varshavë.
Ai tha se Poroshenko meriton dhe ka nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. \"Më ka impresionuar shumë vizioni i tij, pjesërisht për shkak të përvojës së tij si biznesmen në kuptimin e asaj që duhet për ta bërë Ukrainën të rritet dhe të jetë efektive.
Sfida tani qëndron që komuniteti ndërkombëtar ti japë mbështetje përpjekjeve të tij.\" Obama tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të garantojë që Rusia të mos financojë, armatosë dhe mbështesë separatistët në Ukrainë.
Ai gjithashtu deklaroi se bota duhet të jetë e gatshme të veprojë kundër Rusisë. Presidenti Obama mbylli vizitën e tij në Poloni me një fjalim në Ditën e Lirisë, që shënon 25 vjetorin e zgjedhjeve të para pjesërisht të lira në Poloni.
Udhëtimi i tij në Europë, vazhdon me Brukselin për takimin e nivelit të lartë të Grupit të Shtatëshes, që u organizua pas vendimit për të bojkotuar takimin e Grupit të Tetëshes që Rusia do të mbante në Soçi këtë javë. Bojkoti ishte në përgjigje të inkursionit të Rusisë në Krime në muajin mars.