Sharrcem: Skemi riaplikuar dhe sjemi refuzuar nga MTI-ja
Han i Elezit, 14 korrik - Sharrcem nuk ka riaplikuar për masa mbrojtëse, përkatësisht nuk është refuzuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Nëpërmjet një komunikate për media, Sharrcem, fabrika e vetme për prodhimin e çimentos në Kosovë, ka bërë me dije se aplikacioni për masa mbrojtëse është bërë më 4 maj të vitit 2012 dhe se ky aplikacion ende është i hapur sepse vendimi përfundimtar për masat mbrojtëse nuk është marrë nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
MTI-ja vitin e kaluar më 11 qershor 2012, ka marrë vendim për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos, i cili është tërhequr gjatë gushtit të vitit 2012, ndërsa kërkesa ka qenë dhe vazhdon të jetë për një periudhë 4-vjeçare, përkatësisht për masa mbrojtëse të parapara sipas ligjit, është thënë në komunikatën e Sharrcem-it, sipas të cilës, fabrika Sharrcem konsideron se rasti i vitit të kaluar nuk ka përfunduar meqë tregu i çimentos vazhdon të mos jetë stabil.
Këtë e dëshmojnë të dhënat dhe raportet të cilat këta të fundit, në mënyrë të vazhdueshme ua prezantojnë përfaqësuesve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe institucioneve të tjera relevante.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Sharrcem theksojnë se nuk kanë riaplikuar për masa mbrojtëse, përkatësisht nuk janë refuzuar nga MTI, mirëpo janë në pritje të përgjigjes përfundimtare për aplikimin e masave mbrojtëse për një periudhë 4-vjeçare, kërkesë kjo e bërë vitin e kaluar, ka përfunduar komunikata e Sharrcem-it.