15 Nëntor 2024

Shala: “Trepça” s’i ka borxh askujt

Prishtinë, 8 shkurt -  Një ndër problemet me të cilat ballafaqohet Ndërmarrja “Trepça”, është edhe borxhi i pretenduar nga kreditorë të ndryshëm, të krijuar gjatë viteve të ’90-ta, periudhë kjo kur ky kompleks është udhëhequr nga autoritet e atëhershme serbe.

Udhëheqës të kësaj ndërmarrje kanë deklaruar se borxhi i pretenduar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, prej 1.5 miliardë eurosh është i pabazë apo i shantazhuar.

Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin “Trepça” për “Radion Evropa e Lirë”, madje  ka vlerësuar se nga kjo shumë, 1.1 miliard euro konsiderohet se autoritetet serbe i kanë borxh punëtorëve të këtij kombinati për gati një dekadë, periudhë kjo kur Trepça është menaxhuar nga Kuvendi i Serbisë. “Rreth 1.1 miliard euro janë borxhe interne. Ne vlerësojmë se Serbia u ka borxh punëtorëve për mospërfundimin e obligimeve prej vitit 1990 deri më 1999”, ka thënë Tmava

Ndërkaq, ish-drejtori i “Trepçë”-s, Ferat Shala, pohon se “Trepça” nuk i ka borxh askujt.

Ai ka thënë se në periudhën kur pretendohet të jetë krijuar borxhi, nuk ka bazë në dokumentacione, por as që ka pasur ndonjë investim kapital në këtë kombinat. Shala, i cili për katër vjet ka udhëhequr këtë kombinat, pohon se gjatë kësaj periudhe madje ka pasur shkatërrime në “Trepçë”.

“Çështja fikse e borxheve nuk mund të diskutohet, ato janë borxhe që janë krijuar në një periudhë pushtimi, në një gjendje lufte, në një periudhë kur në ‘Trepçë’ nuk ka pasur asnjë punëtorë shqiptar, ku mbi 12 mijë punëtorë janë larguar nga puna. Në bazë të asaj sa kam informacione, në atë periudhë nuk ka pasur investime në Trepçë, nuk janë gjurmët as në letra, as në makineri, as në investime kapitale, e as në një tip të investimeve që bëhen në sektorin e minierave në Kosovë”  ka deklaruar Shala për “Radion Evropa e Lirë”.

Sidoqoftë, në adresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë kanë arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues, por që ende nuk është publikuar numri i pretendueseve dhe as shumat sa kërkojnë.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është marrë vendim që të formohet një komision për analiza preliminare të kërkesave kreditore.

Drejtori aktual i “Trepçë:-s, Ahmet Tmava, ka deklaruar se kjo çështje sa më shpejtë duhet të zgjidhet në mënyrë që të fillojnë procedurat në zgjidhjen e statusit të “Trepçë”-s. “Menaxhimi i të gjitha resurseve do të bëhet nën ombrellën e Trepçës, si karakter publik; aksionar do të jetë shteti dhe kjo formë e menaxhimit dhe statusit i jep mundësi rritjes së prodhimit për një periudhë kohore prej pesë vitesh”, ka thënë Tmava.

Puna në ndërmarrjen “Trepça”, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, që prej viteve të 90-ta, ka qenë me kapacitet të pjesërishëm, për shkak të zhvillimeve të atëhershme politike, nën regjimin e pushtetit serb.

Kjo ndërmarrje që para viteve të 90-ta ka pasur 25 mijë punëtorë, ndërsa tash numëron vetëm 1400 punëtorë aktivë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)