Shala kërkon nga deputetët të ratifikojnë kreditë me Bankën Botërore

Prishtinë, 2 qershor - Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, sot mbajti konferencë për media , në lidhje me dy marrëveshjet të financuara nga Banka Botërore, ajo për modernizimin e sektorit publik të Kosovës dhe për kadastrën e pronës së paluajtshme dhe regjistrimin, të cilat nuk janë ratifikuar në seancën e kaluar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ministri Shala ju bëri thirrje të gjithë deputetëve që të që të kenë mirësinë për ta votuar këtë kredi nga Banka Botërore, e cila është në interes dhe të mire të të gjithëve dhe në veçanti për të ardhmen e vendit tonë.
Marrëveshja për marrjen e kredisë për financimin e projekteve nga Banka Botërore i përket historisë së re të shtetit të Kosovës dhe është bërë vetëm pas nëntë muajsh nga anëtarësimi i shtetit tonë në ketë institucion. Implementimi i kësaj kredie do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e efikasitetit të mëtutjeshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shërbimeve që ato ofrojnë. Njëkohësisht do të ndikoj edhe në krijimin e parakushteve për ofrim te shërbimeve me efikase dhe ambient për punë dhe jetë më të mirë në Kosovë. Kjo kredi do të ndikojë edhe në zhvillimin e Kosovës dhe do ta përmirësoj ambientin e biznesit dhe gjithashtu do të rregulloj çështjen e tokave dhe tregut të pronave në zonat rurale dhe urbane, tha Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.
Ministri Shala, shtoi se Jeni të informuar se para pak ditësh kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për hyrje në program me FMN-në dhe për këtë unë jam më se i bindur se kredia e arritur me BB ka qenë shtytëse për te vendos një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të besueshëm me FMN-në, e që të dyja këto se bashku janë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Shuma e përgjithshme e financimit të këtyre dy projekteve arrin në $ 20.25 milion dollarë (prej tyre 9.11 milion dollarë janë grant kurse 11.15 milion dollarë janë kredi e butë).
Projekti i parë në vlerë 12.25 milionë dollarë ka të bëjë me Regjistrimin e Pronave te patundshme dhe Kadastrën. Kjo, do të përshpejtojë zhvillimin dhe do ta përmirësoj ambientin e biznesit, dhe gjithashtu do të rregulloj çështjen e tokave dhe tregut të pronave në zonat rurale dhe urbane.
Projekti i dytë, Modernizimi i sektorit publik të Kosovës është rreth 8 milion dollarë, nga kjo shume 4.4 milion dollar janë kredi për 40 vite dhe me 10 vite grejs periudhë. Pjesa tjetër e mbetur është grant i asociacionit për zhvillim ndërkombëtar.
Kushtet e kredisë për të dy projektet:
· Periudha e ekzekutimit të projektit 2013;
· Afati i shlyerjes së kredisë 2049 (39 vite);
· Grejs periudha 10 vite;
· Pagesa prej 0.5% (maksimumi) ne vit, ne shumen e patërhequr të bilancit të financimit;
· Kosto shërbimi ne shumën e tërhequr te bilancit te financimit 0.75%.
· Investime kapitale $ 2.4 milion, konsulencë dhe trajnime $ 5.6 milion
· Pagesat e borxhit bëhen me 15 Mars dhe 15 Shtator.