Shahini: Kosova për ekonomi do tia kalojë Kinës
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 9 qershor - Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se gjatë kësaj fushate, si asnjëherë më parë, partitë politike kanë ofruar programe ambicioze ekonomike. Sipas tij, jo të gjitha programet kanë qenë të mbuluara ekonomikisht. Kanë qenë programe të nxitura dhe me emocione politike dhe pa mbulesë ekonomike, ka thënë Shahini.
Shahini në këtë intervistë për Epokën e re ka bërë me dije se AKB-ja, pas 100-ditëshit të qeverisë së re, do ta japë qëndrimin e vet. AKB-ja do ti monitorojë të gjitha ato programe ekonomike që i kanë premtuar partitë politike, në mënyrë që të shihet se si dhe në çfarë forme do ti realizojnë.
\"Nëse brenda katër vjetëve të ardhshme partitë politike do të arrijnë ti realizojnë vetëm 20 për qind nga ato fonde që i kanë ofruar, ne do të kemi ndryshim të madh, e lëre më nëse kjo do të realizohet 50 për qind. Por, nëse këto programe ekonomike, të premtuara nga partitë politike gjatë fushatës, realizohen, atëherë rritja ekonomike e Kosovës do tia kalonte Kinës, është shprehur Shahini.
Epoka e re: Z. Shahini, gjatë kësaj fushate e kemi parë që partitë politike, krahasuar me fushatën e kaluar, e kanë pasur në fokus zhvillimin ekonomike. Si e komentoni këtë?
Shahini: Partitë politike, si asnjëherë më parë, kanë ofruar programe ambicioze ekonomike, por jo të gjitha programet kanë qenë të mbuluara ekonomikisht, por kanë qenë të nxitura dhe me emocione politike dhe pa mbulesë ekonomike.
Njëra parti ofronte një fond shumë të madh, ndërsa tjetra ofronte prapë një fond edhe më të madh. Sikur kjo të ndodhë, do të jetonim me një standard të një shteti të Bashkimit Evropian dhe më mirë se të gjitha vendet regjionale dhe ballkanike.
Prandaj, pas 100-ditëshit Aleanca e Biznesit do ti japë qëndrimet e veta dhe do ti monitorojë të gjitha këto programe ekonomike që i kanë premtuar partitë politike, në mënyrë që të shihet se si dhe në çfarë forme do ti realizojnë. Dëshiroj që premtimet të jenë të vërteta, por dyshoj se nuk janë të mbuluara ekonomikisht mirë.
Epoka e re: A do të thotë kjo se ju dyshoni në fondin zhvillimor të proklamuar nga kryeministri në detyrë Thaçi?
Shahini: Jo, nuk dyshoj vetëm te një fond. Nga të gjitha partitë janë ofruar fonde të ndryshme dhe që të realizohen në Kosovë duhet një koalicion, i cili duhet ti ketë dy të tretat në Kuvend për ti ndryshuar ligjet dhe të gjitha ato rregullore që duhen, në mënyrë që të gjitha ato fonde jashtë të mund të futen në tregun e Kosovës.
Kjo nuk është e lehtë dhe sigurisht se duhet kohë e gjatë.
Epoka e re: Sa kohë nevojitet?
Shahini: Më shumë se një vit e gjysmë apo dy dhe gjatë gjithë kësaj kohe këto programe dhe këto fonde mund të jenë vetëm në përgatitje. Sikur të ishin të gjitha këto fonde të siguruara apo nëse do ti merrnim nesër, prapëseprapë janë bizneset, ato të cilat duhet ti shpenzojnë ato mjete.
Bizneset nuk kanë gatishmëri dhe projekte për ti shpenzuar miliardat e eurove të ofruara nga partitë politike. Kur them kështu u referohem kërkesave që vijnë nga bizneset për bankat komerciale, e të cilat në nivel vjetor nuk kalojnë më shumë se 100 milionë euro.
Bizneset, korporatat apo operatorët ekonomikë që dëshirojnë ti marrin këto mjete duhet të kenë projekte ekonomikisht të mbuluara, sepse këto nuk do të jenë grande, por mbështetje.
Epoka e re: Sa është i gatshëm sektori privat për përpilimin e këtyre projekteve në mënyrë që të përfitojnë nga ofertat e premtuara?
Shahini: Sektori privat ende nuk e ka një gatishmëri për ti marrë të gjitha këto mjete, pasi për këto projekte duhet studim fizibiliteti.
Epoka e re: Çfarë pritjesh keni për zhvillimin ekonomik në katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes së re?
Shahini: Nëse të gjitha këto parti do ti realizojnë 10 deri në 20 për qind të programeve të premtuara, atëherë këto do të jenë të arritura voluminoze, të cilat do ta ndryshojnë qasjen e ekonomisë kosovare dhe mirëqenien qytetare.
Këto programe, të cilat i kanë ofruar partitë politike, janë shumë ambicioze dhe kanë shifra të larta, prandaj them se nëse brenda katër vjetëve të ardhshëm këto parti politike do të arrijnë ti realizojnë vetëm 20 për qind nga ato fonde, që i kanë ofruar, ne do të kemi ndryshim të madh, e lëre më nëse kjo do të realizohet 50 për qind.
Nëse këto programe ekonomike, të premtuara nga partitë politike gjatë fushatës, realizohen, atëherë rritja ekonomike e Kosovës do tia kalonte Kinës.
Epoka e re: Kur jemi te mirëqenia qytetare, lideri i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, ka premtuar tatimin progresiv për arritjen e një mirëqenie qytetare?
Shahini: Z. Kurti ka deklaruar një metodë tjetër të tatimit në paga, e cila duhet të debatohet në Kuvend dhe duhet të ndryshojë. Kjo metodë i prek personat që e kanë pagën mbi 1 700 euro e që janë më pak se një për qind të punonjësve në Kosovë, andaj duhet në të ardhmen të shikohet se si është menduar, nëse vjen deri tek ajo.
Nuk besoj se sistemi i taksave në të ardhura do të mund të ndryshojë shpejt sepse duhet të marrin vendim Qeveria dhe Parlamenti. Të gjitha këto nuk janë ndryshime të lehta, edhe pse në fushatë janë ofruar programe, që janë llogaritur se mund të kenë ndryshime të lehta edhe pa pëlqimin e Kuvendit.
Epoka e re: Atëherë cilat janë rekomandimet e juaja për qeverisjen e ardhshme, gjithnjë në kontekst të zhvillimit ekonomik?
Shahini: Rekomandimet tona për qeverisjen e re janë të krijohet një hapësirë ekonomike, e cila ndryshon krejtësisht nga kjo deri më sot. Duhet të ofrohet një treg më i fuqishëm me politika tregtare dhe fiskale, duhet të barazohet forca konkurruese e bizneseve kosovare me ato biznese që vijnë në Kosovë.
Pastaj duhet të krijohen partneritete të qëndrueshme me sektorin privat, në mënyrë që të ndikojë drejtpërsëdrejti në ndërtimin e një zhvillimi të gjithëmbarshëm ekonomik, duke përmirësuar jetën e qytetarit në Kosovë, e cila është rënduar nga papunësia, varfëria, informaliteti dhe korrupsioni.
Epoka e re: Konkretisht në cilët sektorë të ekonomisë do të rekomandonit ndërhyrje urgjente?
Shahini: Asnjë sektor në Kosovë nuk mund të mburret se e ka një zhvillim të fuqishëm, prandaj duhet të gjithë sektorët të shikohen me prioritet. Gjithashtu, duhet të krijohet një strategji zhvillimore e shtetit të Kosovës, e cila duhet të përpilohet nga ekspertët, të miratohet në Kuvend dhe të realizohet nga Qeveria.
Kjo strategji duhet të parashohë se cilët sektorë janë me prioritet dhe cilët duhet të ndryshojnë. Partitë politike, të cilat i kanë ofruar me qindra mijëra vende të reja të punës, nuk e kanë llogaritur mirë dhe drejt, sepse për të ardhur deri te dëshirat e tyre, Kosova duhet të ketë 20 për qind të ngritjes së GDP-së në nivel vjetor dhe kjo është vështirë e realizueshme, duke marrë parasysh se rritja ekonomike vështirë se mund ta kalojë katërpërqindëshin.