Shahini: Haraçi po heshtet
Prishtinë, 3 gusht - Sektori privat në Kosovë ballafaqohet me barriera të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre, ndërsa, krimi i organizuar dhe haraçi po dëmtojnë në masë të madhe këtë sektor, thotë në intervistën e javës të Radios Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.
Ai, madje, shton se problemi qëndron se fenomeni i haraçit ekziston, por që po heshtet.
Sipas tij, problemet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ambienti i infrastrukturës ligjore, i cili nuk është në favor të zhvillimit ekonomik të prodhimtarisë dhe ekonomisë vendore, por është i orientuar në favor të importit të produkteve të gatshme. Dhe, siç thotë ai, kjo ka bërë që sektori privat, sidomos ai prodhues të ngecë, në krahasim me atë të shërbimeve të tregtisë, i cili është në avancim për çdo ditë.
Krimi i organizuar në çdo shtet ekziston, diku më shumë, diku më pak, por sidomos në vendet në tranzicion, siç është Kosova, që pushteti i ekzekutivit është bartur në forma të ndryshme, si nga UNMIK-ut në pushtetin tonë, tashmë EULEX-i.\"
Kjo sipas tij ka ndikuar që krimi i organizuar të rritet dhe të jetë prezent në Kosovë dhe në mase të madhe po pengon zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
\"Nisur nga kjo, ka perceptime që në Kosovë ekziston korrupsioni, haraçi. Krim të organizuar ka në sektorë të ndryshëm dhe kjo është një ndër imazhet më të këqija që i dërgohet Kosovës, përmes këtyre fenomeneve negative, thotë Shahini.
Ai mendon se, institucionet e Kosovës, në disa sektorë pak mund të luftojnë, kur flasim për krimin e organizuar, sipas tij, flasim për një term shumë të gjerë, të sferave të ndryshme të sektorëve të ndryshëm.
Në këtë kontekst, Shahini thotë se, ky fenomen ekziston, është i zhvilluar në Kosovë, por sipas tij, institucionet vendore dhe ndërkombëtare ende nuk kanë arritur ta luftojnë në masën e duhur.
Edhe institucionet më të larta shtetërore duke u nisur nga Presidenca, kanë organizuar Task-forca të ndryshme për parandalimin e krimit të organizuar, korrupsionit, por ende nuk kanë mundur që ta eliminojnë këtë fenomen, shtoi kreu i AKB-së. Ai mendon se, derisa heshtet, haraçi zhvillohet.
Për tu parandaluar kjo duhet të luftohet, institucionet kompetente duhet të ballafaqohen. Zakonisht ky fenomen është i shprehur tek ato grupe, të cilët bëjnë biznes të jashtëligjshëm dhe grupet që merren me këtë, kanë informata që punojnë jashtëligjshëm, nuk i paguajnë taksa shtetit dhe ata e marrin rolin e shtetit., theksoi Shahini për të Radio Evropa e Lirë.
/Radio Evropa e Lirë/