Sfidë krijimi i vendeve të reja të punës
Prishtinë, 28 janar - Përmirësimi i gjasave për punësim për qytetarët e posaçërisht për gratë dhe të rinjtë paraqet sfidën e vetme më kryesore të zhvillimit shoqëroro-ekonomik në Kosovë, në vazhdim të një agjende të rëndësishme reformatore që tashmë është zbatuar për të krijuar më shumë vende të punës dhe për ta ulur papunësinë.
Në raportin e paradokohshëm të Bankës Botërore të titulluar Kthimi në punë: Rritja me vende të punës në Evropë dhe Azi Qendrore thuhet se shkalla e papunësisë është e lartë dhe se shkalla e krijimit të vendeve të punës është e ulët në tërë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (EAQ), përkundër përpjekjeve mbresëlënëse për reforma që janë bërë në shumë vende të rajonit dhe një dekade të zhvillimit ekonomik të fuqishëm para krizës së pas vitit 2008.
Ka një konsensus të gjerë në Kosovë. Shkalla e lartë e papunësisë dhe shkalla jashtëzakonisht e ulët e punësimit janë thembra e Akilit e një ekonomie përndryshe të qëndrueshme, tha Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë.
Prandaj, në vend se të përqendrohemi në metodologjitë që janë përdorur për ti analizuar rezultatet e tregut të punës në Kosovë, siç është bërë shpesh në debatet publike, përqendrimi duhet të jetë në politikat që e shtojnë produktivitetin vendor dhe në masa më efektive për sigurimin e vendeve të punës me cilësi të lartë për popullatën e re të këtij vendi.
Për të krijuar më shumë vende të punës dhe vende më të mira të punës në EAQ, në raport rekomandohen veprime në dy sfera politike kryesore, gjegjësisht:
Krijimi i bazës për hapjen e vendeve të punës përmes një mjedisi makroekonomik dhe afarist aftësues që ua mundëson firmave ekzistuese që të zhvillohen dhe firmave të reja që të dalin në pah dhe të korrin sukses e të mos dështojnë shpejt, dhe atë me një kosto të ulët; dhe
Mbështetja e punëtorëve që ata ti shfrytëzojnë mundësitë e reja dhe të kenë shkathtësi të duhura, shtysa për punë dhe qasje të papenguar në tregun e punës si dhe të jenë në gjendje të lëvizin nga njëri vend në tjetrin me një potencial më të madh për krijim të vendeve të punës.
Sipas këtij raporti, krijimi i vendeve të punës në këtë rajon ka qenë i ngadalshëm madje edhe para krizës (2000-2007), kur ky rajon u zhvillua më shpejt se shumë ekonomi të tjera në zhvillim. Ekonomitë dhe shkalla e punësimit në EAQ në veçanti pastaj u prekën nga kriza e pas vitit 2008; ndërsa krijimi i vendeve të punës mbetet i ngathtë gjatë rimëkëmbjes pas krizës.
Në vitin 2012, shkalla mesatare e papunësisë për Evropë dhe Azi Qendrore ka qenë 14 përqind, krahasuar me 31 përqind në Kosovë.
Faktor shqetësues është se rreth gjysma e të papunësuarve kanë kërkuar punë qe më shumë se një vit. Punëtorët e rinj dhe më të moshuar, gratë dhe pakicat etnike kanë më shumë gjasa që të jenë të papunë apo të punësuar në vende të punës joformale dhe me paga të ulëta. Për shembull, një në pesë njerëz në EAQ as nuk punon, as nuk kërkon punë, as nuk studion.
Duke i analizuar faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë shqetësuese, në raport nxirren pesë përfundime kryesore:
1. Reformat e tregut që e shtojnë konkurrencën në tregjet vendore shpaguhen kur flitet edhe për krijimin e vendeve të punës, edhe për shtimin e produktivitetit, edhe pse lipset kohë që rezultatet të materializohen. Fillimisht, ristrukturimi ekonomik do të thotë se vende të punës krijohen, por edhe mbyllen. Përderisa vendet i modernizojnë ekonomitë e tyre, krijimi i vendeve të punës e lë pas mbylljen e vendeve të punës, e kjo pastaj ndikon në një shkallë më të lartë të punësimit. Vendet që janë reformuar herët dhe që janë integruar në tregjet globale, të ashtuquajturat modernizuese të avancuara, kanë qenë më të suksesshme në krijimin e më shumë vendeve të punës krahasuar me modernizueset e vonshme (siç janë shtetet e Ballkanit Perëndimor), të cilat i kanë realizuar reformat më ngadalë dhe në mënyrë të pabarabartë.
2. Shumica e vendeve të reja të punës në rajon janë krijuar nga një fraksion i vogël i firmave me zhvillim të lartë (të ashtuquajturat gazela), kryesisht të reja. Megjithatë, shkalla e ndërmarrësisë mbetet e ulët, veçanërisht në mesin e reformatorëve të vonshëm, krahasuar me rajonet e tjera me të hyra mesatare dhe me OECD-në. Kështu, shtetet duhet ta shfrytëzojnë potencialin për ndërmarrësi për të krijuar biznese të reja dhe të suksesshme që mund ta përshpejtojnë krijimin e vendeve të punës.
3. Mungesa e shkathtësive e pengon perspektivën e punësimit, veçanërisht të të rinjve dhe punëtorëve më të moshuar, për shkak të reagimit jo adekuat të sistemeve të arsimimit dhe trajnimit ndaj kërkesave të ndryshueshme të punëdhënësve për shkathtësi. Për ta trajtuar këtë sfidë, duhet të mendohet sërish për bazat e sistemeve të arsimimit, trajnimit dhe të mësuarit tërë jetën.
4. Punësimi pengohet edhe nga tatimet e larta dhe të ngurta në tregun e punës për ata që kalojnë nga pasiviteti apo papunësia në punë formale si dhe nga barrierat e tjera ndaj punësimit që i prekin në veçanti punëtorët që marrin paga të ulëta, punëtorët që punojnë me gjysmë orari dhe përfituesit e dytë në familje, e që më shumë kanë të ngjarë të jenë gra, pjesëtarë të pakicave, të rinj dhe punëtorë më të moshuar.
5. Shkalla e ulët e lëvizshmërisë në tregun e punës brenda vendeve e parandalon rivendosjen e punëtorëve nëpër vende me potencial më të madh për krijim të vendeve të punës. Migrimi jashtë vendit shërben si zëvendësim për shkallën e ulët të lëvizshmërisë së brendshme, por e përkeqëson pamjen demografike të shumë vendeve.
Agjenda e vendeve të punës në Kosovë merr për bazë hapat që tashmë janë bërë për ti kanalizuar rregulloret për biznesin dhe për ta përmirësuar klimën e të bërit biznes, duke ua bërë më të lehtë ndërmarrësve vendorë që të themelojnë dhe regjistrojnë kompani dhe që këto kompani tia dalin në treg. Përqendrimi në reformat relevante është pasqyruar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në sondazhin Të bërit biznes ku pozita 86 paraqet përmirësim prej 40 pozitave brenda dy viteve në mesin e 189 shteteve. Megjithatë, situata aktuale e tregut të punës nënkupton se duhet të bëhet më shumë për ta përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për të ndihmuar në ngritjen e shkallës së punësimit, veçanërisht në mesin e grave dhe të rinjve.
Ngjashëm me vendet e tjera në Evropë dhe në Azinë Qendrore, arsimimi më i mirë i përmirëson perspektivat për punësim. Prandaj, investimi në kapitalin njerëzor dhe, në veçanti, përmirësimi i shkollimit (në veçanti, për ta bërë atë më reagues ndaj nevojave të tregut) është komponent kyç i një strategjie të zhvillimit shoqëroro-ekonomik dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së atyre që tashmë janë të përjashtuar nga tregu (formal) i punës.