Sfidat e shërbimeve sociale në Kosovë
Ky dhe rekomandime të tjera u dhanë, të mërkurën më 12 shkurt, gjatë mbajtjes së debatit të hapur "Roli dhe sfidat e institucioneve dhe Organizatave jo-qeveritare në ofrimin e shërbimeve sociale", të organizuar nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal - (CLARD) në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në mesin e rekomandimeve të bëra nga përfaqësues institucionalë dhe të organizatave jo-qeveritare, e që ofrojnë shërbime sociale, hyjnë edhe harmonizimi dhe njohja e specifikave të njerëzve me nevoja të veçanta dhe grupeve të margjinalizuara, nga ana e ofruesve institucionalë të shërbimeve aktuale sociale.
Rekomandim tjetër, i nxjerrë nga ky debat i hapur, është edhe rritja e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe OJQ-ve, që merren me shërbime sociale, me një theks të veçantë në zgjidhjen e statusit të fëmijëve të braktisur në Kosovë.
Poashtu kërkesë e dalur nga ky takim është edhe interpretimi i ligjeve për shërbime sociale të përcjellura me komentarin përkatës. Këto rekomandime do të referohen te Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Në këtë debat u diskutua edhe për sfidat e institucioneve dhe të organizatave jo qeveritare në fushën e ofrimit të shërbimeve sociale. Një nga sfidat e OJQ-ve lidhur me shërbimet sociale, është mospërkrahja e tyre nga ana e institucioneve shtetërore, respektivisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale (MPMS).
Debati i hapur u zhvillua në dy tryeza: 1) Roli dhe sfidat e Institucioneve në ofrimin e Shërbimeve Sociale në Kosovë dhe 2) Roli, kapaciteti dhe sfidat e Shoqërisë Civile në Ofrimin e shërbimeve sociale në Kosovë.
Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal-(CLARD) është partner rajonal në projektin "Përmirësimi i sigurimit të ofrimit të shërbimeve sociale në Evropën Juglindore përmes fuqizimit të rrjeteve të OShC-ve kombëtare dhe rajonale", e që implementohet nga ASB dhe partnerët e tjerë të projektit rajonal SOLIDAR, EDC, LIR, OGI, dhe SOS Telefoni, që do të zhvillojnë një platformë gjatë zbatimit të projektit për monitorimin e reformave kyçe në politikat sociale-rajonale e më gjerë në lidhje me reformat përkatëse në BE.