Sfidat e prokurimit publik
Prishtinë, 20 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/ Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar një debat publik me temën Sfidat e Prokurimit Publike.
Në këtë debat pjesëmarrës kanë qenë Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ai i Infrastrukturës Fehmi Mujota dhe Ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci.
Gjithashtu në këtë debat kanë marr pjesë edhe dy deputet të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike Ali Sadriu dhe shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri.
Merita Mustafa nga KDI ka thënë bërë një prezantim përmbledhës nga monitorimi i prokurimit në këto tri ministri.
Ajo ka thënë se probleme kryesore në këtë lëmi mbesin, përshtatja e kritereve për biznese të caktuara, mungesa e besimit në OSHP, moszbatimi i kontratave me kohë dhe sipas kritereve të përcaktuara, mungesa e sanksioneve efektive për operatorët e pa përgjegjshëm, planifikimi i dobët i projekteve dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.
Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë ka konstatuar se problemet e identifikuara në M.Sh. nga KDI, janë të qëndrueshëm dhe të vërteta duke konstatuar se ky institucion ka probleme të shumta brenda.
Ai ka evidentuar se rasti i identifikuar nga KDI për kontratën furnizimi me citostatik, ka qenë rast tipik në të cilin është kontrabanduar në këtë listë edhe produkti Palonosetron i cili në fakt nuk është fare citostatik dhe në këtë formë ka marr buxhetin më të madh të dedikuar për furnizim me këto barna të cilat shërbejnë për shërimin e kancerit.
Nga ana tjetër Ministri i Infrastrukturës FehmiMujota, ka thënë se të flasësh për sfidat e prokurimit publik në Kosovë është shumë temë e gjerë dhe e pa definuar për shkak se këtu ngërthehen shumë problematika dhe interesa të grupeve të ndryshme.
Mujota ka thënë se sfidat të cilat janë në fushën e infrastrukturës janë edhe më të mëdha sesa kanë mundur të raportohen dhe të përmenden. Megjithatë ai ka akuzuar se disa media bëjnë raportime të shtrembëruara.
Blerand Stavileci ka kontestuar të gjeturat për ministrinë të cilën ai drejton duke argumentuar se punë në këtë institucion është përmendur si shembull i mirë nga shumë raporte të cilat kanë vlerësuar këtë ministri.
Ai ka kërkuar që të gjitha rastet e keqpërdorimeve të denoncohen ashtu siç janë me emra dhe mbiemra nga të gjithë ata të cilët e konsiderojnë vetën si të prekur nga ky fenomen.
Ali Sadriu, ka përmendur të gjeturat që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur për këto ministri.
Ai ka thënë se disa nga kontratat madje nuk i janë ofruar as Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike me arsyetimin se të njëjtat janë nën hetime.
Visar Ymeri vlerësoi se gjendja e rëndë në këto institucione kur është fjala për prokurimin publik nuk i amniston të gjitha institucionet dhe veçanërisht ministrat.
Ai ka akuzuar qeverinë se nuk i pranon kritikat për keqpërdorim me paranë publike me logjikën e mos pranimit as njëherë të fajësisë për dështime.
Pjesëmarrësit e tjerë në këtë tryezë në anën tjetër kanë debatuar lidhur me shumë sfida të cilat po e përcjellin procesin e prokurimit publik në Kosovë dhe gjithashtu raportimit nga mediat dhe OSHC-të për këtë çështje.