Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë regjistrimin
Prishtinë, 13 qershor - Regjistrimi i popullsisë në veri të Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga serbët lokalë. Por, përfaqësuesit e Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë janë ende optimistë se regjistrimi do të kryhet edhe në veri të Kosovës.
Sipas tyre, gjatë kësaj jave do të dihet saktë rezultati i takimeve të zyrtarëve të UNOPS-it dhe përfaqësuesve të serbëve në veri.
Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, theksoi se nëse ky proces nuk realizohet në veri, do të përdoren metoda tjera për të kuptuar se sa është numri i banorëve në atë pjesë të vendit.
Por anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Administratës Publike, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka dështuar në përgjithësi, dhe se tani ekziston rreziku qe veriu i vendit të përfshihet në regjistrimin e popullësisë së serbisë, regjistrim ky që planifikohet të bëhet në tetor të këtij viti.