06 Nëntor 2024

Senati amerikan arrin marrëveshje për buxhetin

Washington, 8 shkurt - Një ditë përpara një rreziku të ri për mbylljen e qeverisë amerikane, udhëheqësit e Senatit arritën të mërkurën një marrëveshje dypalëshe që do ta mbajë qeverinë federale të financuar për dy vjet. Por për tema të debatueshme, sikurse emigracioni nuk ka ende një marrëveshje.

"Jam i kënaqur të njoftoj se negociatat dypalëshe lidhur me shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe priorite të tjera, prodhuan një marrëveshje të rëndësishme", tha në Senat kreu i shumicës republikane, Mitch McConnell.

“U bashkuam për një marrëveshje që është shumë e mirë për popullin amerikan" tha udhëheqësi i pakicës demokrate Chuck Schumer.

Paketa pritet të rrisë shpenzimet e qeverisë amerikane për mbrojtjen kombëtare dhe programet e brendshme, me 300 miliardë dollarë gjatë një periudhe dyvjeçare, duke i dhënë fund viteve me kufizime të detyrueshme buxhetore, që sipas republikanëve, po e tkurrnin ushtrinë amerikane, ndërsa për demokratët, po dëmtonin njerëzit në nevojë.

"Falë kompromisi të arritur për herë të parë ndër vite, forcat tona të armatosura do të kenë më shumë burime të nevojshme për ta mbajtur Amerikën të sigurtë", - tha zoti McConnell. "Marrëveshja do të na ndihmojë t’u shërbejmë veteranëve që na kanë shërbyer me trimëri dhe do të sigurojë fonde për përpjekje të rëndësishme, si ndihma në rastin e katastrofave, për infrastrukturën, si dhe për të luftuar abuzimin me opioidet", tha ai.

Marrëveshja erdhi në momentet e fundit, ndërsa financimi federal për qeverinë skadonte në mesnatën e së enjtes. Nëse financimi nuk zgjatej, qeveria amerikane do të kishte pësuar mbylljen e dytë të pjesshme brenda një periudhe të shkurtër.

Për t'u bërë ligj, paketa duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit dhe të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump.

Demokratët bllokuan një projekligj të përkohshëm për shpenzimet në janar, duke shkaktuar një mbyllje të qeverisë federale për tre ditë, që lidhej pjesërisht me kundërshtimin e tyre ndaj mosveprimit të Kongresit në lidhje me programin DACA, që pritet të përfundojë më 5 mars.

Presidenti ka thënë se mbështet rrugën drejt shtetësisë për 1.8 milionë të rinj që përfitojnë nga programi DACA, pjesë e një pakete më të madhe të reformës së imigracionit. Shtëpia e Bardhë kërkon gjithashtu fonde për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, redukatim të emigracionit të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë përparësi që të vijnë në Amerikë njerëz më të kualifikuar.

Negociatat dypalëshe nuk kanë arritur ende tek një marrëveshje për ndryshimin e ligjeve amerikane të emigracionit. Presidenti Trump ka hedhur poshtë një propozim që do të bashkonte një zgjidhje për DACA-n me përmirësime të kufizuara të sigurisë kufitare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)