Selimaj: Kërkojmë trajtim më të mirë për ndërtuesit
Prishtinë, 9 janar - Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës në Odën Ekonomike të Kosovës, Ibrahim Selimaj në një intervistë për standardi.info kërkon që të respektohen kriteret e ndërtimit, por edhe niveli lokal dhe qendror ti trajtojnë më mirë investitorët e Kosovës.
Ai mendon se ka probleme me ligjin e ri për ndërtimet. Selimi vlerëson se ende ka punë në këtë dikaster që është sektori më i madh punëdhënës. Thotë se do të ketë bashkëpunim me të gjithë për ti çuar proceset përpara.
Standardi.info: Cila është gjendja e ndërtuesve në Kosovë?
Ibrahim Selimaj: Tani për tani gjendja e ndërtuesve nuk mund të themi që është kaotike sepse ka rregulla dhe kritere të cilat mund t\'i përfillin kuvendet komunale dhe ka vend që të mos iu ikin përgjegjësive të dyja palët si ndërtuesit dhe nivelet lokale dhe qendrore.
Standardi.info: Cilat janë vështirësitë në këtë sektor?
Ibrahim Selimaj: Me ligjin i cili është hartuar në Kuvendin e Kosovës është bërë një ligj jo profesional, i cili ka caktuar taksa enorme dhe kriter që nuk janë të parapara në regjion. Këtë mund ta argumentojë me shumë faktor, sepse taksat në disa kuvende komunale nuk kanë qenë të njëjta para hartimit të këtij ligji, ta marrim Prishtinë, ka pasur kriter tjetër sepse ka pasur metër kub taksimin e taksave, ndërsa kuvendet komunale tjera e kanë pasur mënyrë tjetër. Përpara ka qenë vetëm një taks dhe në të nuk kanë qenë të përfshira as ujësjellësi as kanalizimi as rryma.
E gjithë mbledhja e këtyre mjeteve që bahet nga ndërtuesit, që janë kontribuuesit më të mëdhenj, bëhet pa ndonjë ide se për cilën arsye. Ndërtuesit paguajnë në të gjitha anët, ndërsa nga ne kërkohet respektimi i të gjitha rregullave dhe shpesh duke na diskriminuar dhe duke na dëmtuar.
Standardi.info: Ju nuk jeni të kënaqur me ligjin. Cilat janë pikat që keni vërejtje?
Ibrahim Selimaj: Ne kemi dhënë edhe më përpara vërejtjet tona gjatë hartimit të këtij ligji. Nga shoqata kemi angazhuar arkitekt dhe jurist të cilët kanë qenë njohës të mirë të ligjeve vendore dhe ndërkombëtare që kanë pasur eksperiencë dhe nuk është përfshirë asnjë vërejtje apo sugjerim, sepse niveli qendror dhe ai lokal nuk kanë bashkëpunim.
Standardi.info: Pse nuk kanë bashkëpunim, ku është problemi?
Ibrahim Selimaj: Ne nuk jemi të interesuar që të flasim për politikë, por për probleme të njerëzve që punojnë dhe investojnë, për interesin e përgjithshëm. A janë problemet politike? Atë le ta vlerësojnë të tjerët. Ne tani po flasim për vështirësitë që po na mundojnë. Ta marrim për shembull ujësjellësin e Batllavës, që e furnizon Prishtinën dhe është një kriter bazë dhe që e mundon jo vetëm Prishtinën, por edhe qytetet tjera, problemet nuk i kanë Kuvendet Komunale, janë mosmarrëveshjet në mes autoriteteve lokale dhe qendrore.
Po ashtu e kemi Postë Telekomin e Kosovës, sistemin energjetik, kanalizimi dhe të tjerat. Nëse investitori i paguan të gjitha këto taksa për një herë, kjo e dëmton investitorin sepse e gjymton në aspektin financiar sepse shpenzohet për një kohë të shkurtër.
Kanë pru asi kriteri që nëse nuk i paguan të gjitha taksat nuk të lëshojnë leje edhe pse afati i investimeve është 2 ose 3 vjeçar dhe në vend se ato mjete të investohen në këtë dikaster për atë periudhë, investitorët detyrohen të paguajnë haraç. Këto nuk i parasheh ekonomia e tregut.
Standardi.info: Problemi me lejet e ndërtimeve a është lehtësuar, apo ende vazhdon?
Ibrahim Selimaj: Për me dashtë me marrë një leje duhet me bredh me te ujësjellësi te kanalizimi te rryma etj etj.
Ne i dëgjojmë qeveritarët e nivelit lokal dhe qendror që do ta merrni lejen gjatë ditës. Ato janë përralla.
Nëse pret më shumë se 30 ditë defakto dhe dejuro e ki lejen, por a është kjo zgjidhje? Absolutisht jo sepse leja është ajo që i përcakton rregullat dhe kriteret. Përveç asaj Kuvendet Komunale nuk kanë ekspert për mbikëqyrje.
Standardi.info: A janë këto rregulla edhe në vendet e rajonit?
Ibrahim Selimaj: Nuk ekzistojnë sepse ato paguhen faza faza deri në përfundimin e objekteve.
Standardi.info: Ju po kërkoni që ta bëni si në vendet e rajonit?
Ibrahim Selimaj: Po absolutisht. Ne po kërkojmë që të mbikëqyret puna faza - faza dhe të bëhen pagesat faza - faza deri në përfundimin e objektit dhe në përfundimin e objektit bëhet pranimi i objektit dhe përfundohen pagesat.
Ligji e saktëson shumë bukur se ti me pranimin teknik nuk ki qare pa e bërë dhe në përfundim në faza të ndryshme i ndihmon punëdhënësin.
Standardi.info: Cila është arsyeja që çmimi i banesave është i lartë?
Ibrahim Selimaj: Të gjitha këto që i përmenda më lart janë si arsye, mirëpo edhe kostoja e tokës është thuajse kryesorja.
Standardi.info: Po Prishtina është e ndërtuar më së shumti, koncentrimi më i madh. A jeni që të ketë kritere për të gjithë njëjtë?
Ibrahim Selimaj: Absolutisht ne jemi që të funksionojmë duke respektuar rregullat dhe ligjet, por edhe e kundërta, ne po kërkojmë që të respektohen investitorët. Ne shpesh po themi që nëse një investitor vjen nga jashtë do ta ketë këtë e atë lehtësirë, ndërsa investitorët vendor nuk po respektohen. Po ashtu nuk po respektohen edhe prodhuesit vendor të materialeve ndërtimore, të cilët nuk janë të pakt. Edhe këtu kemi probleme të mëdha dhe janë varshmëri me njëra- tjetrën. Ne nëse kishim me pas një politikë fiskale dhe do ti mbronim do të funksionim shumë më mirë sepse nuk kishim pas nevojë të fusim nga jashtë.
Standardi.info: Ndalem pak te numri i të punësuarve. Sa punojnë të paregjistruar janë në këtë dikaster?
Ibrahim Selimaj: 5 mijë deri në 6 mijë punëtorë janë duke punuar në të zezë dhe plotësisht jam në gjendja ta argumentojmë. Duhet që ATK-ja të del me një program lehtësues që ti bënë pjesë dhe të mos i frikësoj dhe këta njerëz ti fut brenda. Sepse këta njerëz që punojnë në të zezën dhe bëjnë konkurrencë jo lojale, e vështirësojnë punën dhe këta e kryejnë punën e egër, sepse jo që nuk donë, por frikohen se mos po i gjobisin. Unë kisha apeluar te dikasteret që mund të ndihmojnë që këta njerëz ti shtinë në sistem.
Standardi.info: A rrezikojnë ndërtimin kjo kategori?
Ibrahim Selimaj: Nuk mund ta rrezikojnë ndërtimin, por janë në mënyrë të pakontrolluar.
Standardi.info: Po problemi në Dragodan që u shembë rruga për shkak të ndërtimeve?
Ibrahim Selimaj: Nuk mund të bëjmë vlerësime as për Dragodanin e për asnjë, por mund të japin vlerësime për rregulluesit dhe parregulluesit. Unë jam që ti respektojmë rregullat anasjelltas.
Standardi.info: Shpend Ahmeti ka thënë që nuk do të ketë më ndërtime pa leje?
Ibrahim Selimaj: Ne do të përcjellim çdo gjë dhe do ta bëjmë publike atë më të mirën e të dyja palëve dhe unë personalisht do të betohem se do të jem në shërbim të atyre që më kanë zgjedhur dhe do të dalim me opinione tona dhe do të tregojmë që në start cilat janë sfidat dhe problemet.
Standardi.info: Cila është porosia për ata që dëshirojnë që të ndërtojnë dhe janë duke ndërtuar?
Ibrahim Selimaj: Po së pari ti respektojnë rregullat dhe ti kërkojnë të drejtat e tyre dhe kualitetin ta kenë më të lart sepse ne po ndërtojmë për shqiptarët dhe qytetarët tanë