Sektorin privat në Kosovë nuk e mbron askush
Prishtinë, 14 gusht - Kanë kaluar vite të shumta pas luftës në Kosovë dhe tani kremtohet 20 vjetori i lirisë, por Kosova nuk ka qenë në pozitë më të vështirë qoftë në aspektin politik, ekonomik, social, integrues dhe në imazh.
Kështu ka vlerësuar ish kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu sipas të cilit në një shtet ku agjenda politike dominon ndërsa politika dhe politikanët mirren me vetvete, është utopike të mendohet në zhvillim ekonomik, stabilitet social, në përshpejtim të proceseve integruese dhe në përmiresim të imazhit të Kosovës.
Gërxhaliu i cili është edhe një nga ekspertet me të njohur të ekonomisë ka thënë se ajo cka dhemb më së shumti është fakti se për çdo dështim tentohet të fajsohen të tjerët, ndërsa problemi jemi ne dhe është Kosova.
"Humbet kohë në tentim për të hijeshuar të kaluarën me qëllim të rritjes së popullizmit inekzistent dhe në gërshetim të këtyre rrethanave enorm negative për Kosovën është duke lulzuar krimi, kontrabanda, degradimi i vlerave, politizimi i skajshëm i çdo gjëje që quhet publike dhe shtetërore e në veçanti një qasje agresive për të dëmtuar bizneset e mirëfillta apolitike përmes shantazhit, presionit, mitos dhe korrupsionit që sot është në shkallën më të lartë të zhvillimit dhe të rritjes dhe ky fenomen është duke u rritur dhe fuqizuar më shpejtë se vet shteti", ka pohuar Gërxhaliu.
Ai konsideron se derisa, duartrokiten hapa popullist me taksa të ndryshme kundër vendeve të rajonit me qëllim kinse të mbrojtjes së prodhimit vendor ku Kosova dëmtohet në çdo aspket e në veçanti izolohet nga Evropa dhe shtetet demokratike ndërkombëtare ku koston e këtij popullizimi është duke e paguar qytetari i Kosovës përmes ngritjes së çmimeve të produkteve bazike, përmes inflacionit marramendës edhe për kundër asaj që valutë e kemi euron dhe sot falë këtij popullizmi Kosova rënditet në një ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë që e dëshmon teorinë se jetojmë me çmime më të larta se në Evropë e me të hyra afrikane.
Por, duhet të kuptohet që kjo rrugë sipas Gërxhaliut është mjaftë e gabuar dhe pasojat do ti bartim të gjithë ne, por jo ata që sjellin vendime të tilla e janë pjesë e krimit, orkestrues të korrupsionit dhe kontrabandës dhe këtë e bëjnë për fat të keq në emër të patriotizimit folkorik në të cilin nuk beson askush përvec atyre që përfitojnë.
Ai konsideron se falë vendimeve të tilla, Kosova është shëndrruar në shtet të pashpresë dhe të paperspektivë dhe këtë e dëshmon më së miri ikja çdo ditç e më tepër e popullatës nga ky vend që nga ta shihet si i paperspektivë.
"Jam dëshmitarë i disa bizneseve prodhuese që më janë adresuar me ankesa të shumta ditëve të fundit, në veçanti në Doganën e Kosovës për një qasje jo profesionale, denigruese, korruptive dhe amorale."
"Është shqetësuese që me fenomenin e korrupsionit dhe presionit nga Dogana e Kosovës pësojnë më së shumti bizneset prodhuese me rastin e importeve të lëndës së parë ose pajisjeve të ndryshme për prodhim me që rast shumë më tepër humbet kohë për të gjetë arsye për ti denuar sesa për ti ndihmuar."
"Në qoftë se nuk jep ryshfet do të jeshë i dënuar dhe arsyetimi do të jetë, paguaj dënimin dhe bëje një ankesë e cila do të shqyrtohet. Hipokrizia në Kosovë nuk ka fund, por të dëmtosh në këtë masë bizneset prodhuese në të njëjtën kohë kur është vënë taksa 100% kinse për të mbrojtur prodhimin vendor është një hipokrizi që dëshmon se Kosova udhëhiqet nga parlamenti dhe qeveria më e dobët në 20 vitet e fundit", ka nënvizuar Gërxhaliu.
Politizimi dhe qasja ndaj institucioneve që të jenë në funksion të pushtetit nuk ka të ndalur, por sipas tij lind pyetja a ka moral në këtë shtet dhe tek këta pushtetarë dhe a ekzistojnë asociacione të biznesit që janë “pro business” të orientuara apo të orientuara drejt servilitetit politik dhe mbrojtjes së interesave të grupeve të caktuara të interesit.
Ai konsideron se një Kosovë pa sektor privat të zhvilluar nuk mund të mbijetojë, prandaj duhet të kuptohet se sektori privat për të përmirësuar indikatoret kryesor ekonomik siç është rritja e prodhimit, rritja e eksporteve, krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i imazhit të Kosovës përmes promovimit të brendeve “made in Kosova” duhet të jenë prioritet dhe për ekonomi dhe sektor privat të zhvilluar, nuk duhet demagogji dhe politizim steril, por hapa konkret drejtë mbështetjes së tyre dhe objektivave shtetërore.
"Serviliteti i tepruar dhe egoist i asociacioneve të biznesit në Kosovë përballë politikës do ta varrosë përspektivën e punësimit të të rinjëve dhe do të ndikojë edhe më tepër në migrim që do të jetë edhe arritja më e madhe e kundërshtarëve të pavarësisë së Republikës së Kosovës."
"Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së gjithë këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit i cili lë për të dëshiruar sepse është larg realitetit për çfarë ekziston", ka deklaruar në fund Gërxhaliu.