19 Nëntor 2024

Sektori më i korruptuar në Kosovë dyshohet të jetë Prokurimi Publik

Prishtinë 22 janar - Prokurimi Publik në Kosovë mbetet ndër sektorët ku dyshohet se ka më së shumti korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike. Udhëheqësi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, thotë se gjendja në prokurimin publik po shkon drejt përmirësimit.

Në një intervistë për Radio Kosovën ai thekson se janë duke u angazhuar për luftimin e korrupsionit, por edhe dukurive tjera negative, si favorizimit apo diskriminimit. Këtë sipas tij po e bëjnë falë mbështetjes së mekanizmave ndërkombëtarë.

Prokurimi Publik qëndron në mes të administratës publike dhe sektorit privat dhe si i tillë shpesh mund të jetë një zonë ku atakohet nga dukuritë devijuese siç është edhe korrupsioni. Kreu i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, nuk e mohon që ka korrupsion në këtë sektor, por thekson se nuk është në atë nivel sa thuhet.

“Prokurimi publik ka bërë avancime të mëdha në kuptimin e luftimit të këtyre dukurive, jo vetëm të korrupsionit, por edhe dukurive tjera devijuese që janë në këtë fushë, qofshin favorizimet, diskriminimet etj”.

Hoxha thotë se në Kosovë është duke u zhvilluar një betejë e fuqishme ndërmjet atyre që janë të interesuar të vendosin rend e ligj dhe atyre që mendojnë ta devijojnë këtë sistem. Por, sipas tij, gjendja në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, sidomos krahasuar me vitin 2010, kur kishte dalë raporti më i keq për prokurimin publik në Kosovë.

“Ka qenë një vit kur procedurat e negociuara kanë qenë në shkallën diku 14 për qind, që janë procedurat që shoqërohen me një dilemë për mundësi korrupsioni. Sot ato procedura janë në nivelin më të ultë të rajonit dhe në nivel të BE-së, janë në shkallën 6 deri në 7 për qind mesatarisht”.

Përshtatja dhe favorizimi i operatorëve ekonomikë përmes kritereve ka qenë mjaft prezent në prokurimin publik. Por kreu i komisionit rregullativ të prokurimit publik thotë se në rastet kur i kanë vërejtur këto dukuri, kanë ndërhyrë dhe kanë kërkuar nga autoritetet kontraktuese t’i ndryshojnë kriteret.

“Ndërhyrje në kuptimin e kritereve ka më shumë se 100 ndërhyrje gjatë një viti, flas për vitin 2013”.

Hoxha thotë se synojnë që këtë vit të rrisin monitorimin e autoriteteve kontraktuese në publikimin e kritereve por edhe menaxhimin e zbatimit të kontratave. Ai u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që sa më shpejt të formojnë bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, si një organ që shqyrton të gjitha ankesat e operatorëve.

Ndërkohë paralajmëron hartimin e një strategjie pesëvjeçare në këtë fushë dhe lansimin e prokurimit elektronik, që synon rritjen e transparencës, zvogëlimin e mundësisë për korrupsion, por edhe uljen e kostos financiare për pjesëmarrje në aktivitet të prokurimit publik.
                   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)