14 Nëntor 2024

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë vazhdon të jetë profitabil

Prishtinë, 26 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa,  vizitoi sot Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ku u prit nga guvernatori Bedri Hamza dhe drejtuesit tjerë të BQK-së.

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa, që shoqërohej nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vlerësoi punën dhe rezultatet e BQK-së.

Kryeministri Mustafa tha se sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm duke vlerësuar pozitivisht menaxhimin nga ana e Bankës Qendrore, e cila ka ndihmuar në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik.
 
“Ne tani kemi arritur që bankat të ofrojnë kredi cilësore për ekonominë dhe afate cilësore për zhvillimin e ekonomisë. Kemi trende të mira të zhvillimit, sepse edhe vlerësimet e Bankës Qendrore, janë si ato të Bankës Botërore, që ne do të kemi një rritje ekonomike për vitin e kaluar ndërmjet 3.5 deri në 3.6 për qind dhe po ashtu, një rritje më të madhe ekonomike për vitin e ardhshëm”, theksoi kryeministri.
 
Më tej, kryeministri Mustafa tha se ka një trend të mirë edhe të inkasimit të tatimit dhe të qëndrueshmërisë buxhetore dhe se kjo pritet të vazhdoj në të ardhmen duke iu referuar edhe trendit pozitiv të regjistrimit të firmave të reja dhe investimeve.
 
“Këto janë lajme shumë të mira, sepse objektivi ynë themelor është ta zhvillojmë ekonominë. Ne dëshirojmë të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bankën Qendrore dhe që këto procese t’i qojmë përpara në interes të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza tha se gjatë takimit me kryeministrin Mustafa është biseduar për zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë në zhvillimin e sektorit financiar.
 
“Sektori financiar por edhe ai bankar në Kosovë, vazhdon të jetë i kapitalizuar, likuid dhe profitabil. Kemi rritje të kredive, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, rritja ka qenë për 8.8 për qind, që është edhe një kontribuues për rritjen ekonomike të vendit. Sektori është i shëndoshë, kreditë joperformuese janë në rënie prej 5.8 për qind, më të ulëtat në regjion."

"Është indikator jashtëzakonisht pozitiv zvogëlimi i normës së interesit në kredi, ku norma mesatare e normës së interesit në kredi në fund të muajit mars ka rënë në 7.4 për qind. Sektorët që e kanë rritjen më të madhe dhe pjesëmarrjen më të madhe, është sektori i agrobiznesit dhe i prodhimit, ku edhe gjenerohen vendet e punës, kontribuohet në zvogëlimin e deficitit tregtar dhe, në përgjithësi, sektorin e karakterizon një zhvillim pozitiv”, tha Hamza.

Guvernatori i BQK-së po ashtu tha se përmbaruesit privat kanë kontribuuar në përmirësimin e kredive joperformuese dhe lehtësimin e punës së bankave.

 “Gjithashtu, ne kemi hapur edhe mundësinë që për ndërmarrjet e tjera t’i japim garancione kreditore kompanive të sigurimeve, që e kanë vlerën e njëjtë si garancionet kreditore që japin bankat, sepse janë kompani që mbikëqyren dhe financohen nga ana jonë."

"Jemi duke punuar edhe në amendamentimin e disa ligjeve tjera, me qëllim që ta përmirësojmë ambientin në sektorin bankar dhe kompanitë e sigurimeve."

"Ne kemi nevojë për një sistem bankar të fuqishëm, të shëndoshë dhe profitabil, që të jetë në përkrahje të sektorit real dhe të ekonomisë së vendit”, tha guvernatori Hamza.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)