Sektori bankar, 72 përqind e aseteve të sistemit financiar
Prishtinë, 22 shtator - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar. Në raport thuhet se sektori bankar mbetet sektori kryesor për nga madhësia e aseteve të cilat deri në dhjetor 2013, përfaqësojnë rreth 72 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar.
Gjatë vitit 2013, asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej 8.1 përqind, që paraqet një rikuperim të trendit të rritjes duke pasur parasysh ngadalësimin e trendit të rritjes të ndjekur gjatë dy viteve
paraprake.
\"Zgjerim të aktivitetit regjistroi edhe industria e sigurimeve, por ritmi i rritjes ishte më i ulët se sa në vitin paraprak. Asetet e kompanive të sigurimit gjatë vitit 2013 shënuan rritje vjetore prej 1.4 përqind krahasuar me rritjen prej 16.3 përqind sa ishte në vitin 2012\", thuhet në raportin e BQK-së.