Së shpejti fillon implemenitmi i SWIFT kodit të Kosovës
Prishtinë, 26 nëntor - Shoqata e Bankave të Kosovës ka njoftuar që duke filluar nga muaji dhjetor i këtij viti, pritet implementimi i SWIFT kodit të Kosovës në sistemet e bankave komerciale në Kosovë.
Kjo është mundësuar falë angazhimit të të gjitha institucioneve relevante në këtë process si Banka Qendrore e Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës.
Implementimi i SWIFT kodit të Kosovës nga bankat komerciale do tu mundësojë lehtësira diasporës shqiptare dhe qytetarëve rezident të Kosovës pasi që tani transferet dhe transaksionet tjera ndërkombëtare do të bëhen më lehtë ngase bankat komerciale do të jenë të pajisuara me SWIFT kod të Kosovës.
Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, theksoi që ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara për Kosovën pasi që tani e tutje, bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës, në arenën ndërkombëtare do të identifikohen me kod të veqantë dhe me implementimin e këtij kodi do të mundësohet një efikasitet tek bankat komerciale në Kosovë duke e rritur efikasitetin e transfereve dhe njëkohësisht do të ulë koston e pagesës së transfereve ndërkombëtare.
Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror (SWIFT) është krijuar në vitin 1973 në Bruksel, Belgjikë.
Si parim kryesor e ka lehtësimin e transaksioneve financiare ndërkombëtare duke krijuar një rrjet të gjërë ku institucionet financiare do të mund të pranojnë dhe dërgojnë informacione të ndërlidhura me transaksionet financiare në një mjedis të sigurtë.