Sapin: Franca ka falimentuar
Paris, 29 janar - Politikanët francezë i dolën në mbrojtje shëndetit të ekonomisë, pasi Ministri i Punës, Michel Sapin, e konsideroi shtetin si tërësisht të falimentuar.
Ministri francez i Financave, Pierre Moscovici, sulmoi konstatimin e Sapin, duke i cilësuar fjalët e tij si të papërshtatshme.
Franca është një vend në gjendje të zgjidhë problemet e tij, tërësisht i besueshëm dhe besimplotë në lidhje me ekonominë, deklaroi Moscovici.
Numri një i financave shtoi se gjendja, ndonëse jo optimale, nuk i afrohet aspak përshkrimit të Sapin dhe se pavarësisht disa problemeve me buxhetin, nuk ekziston një rrezik për shkurime masive në administratë dhe shërbimet që ofron shteti.
Sipas mediave, deklarata e ardhur nga ministri i qeverisë socialiste së Hollande, ose është një gafë e pabesueshme, ose një deklaratë që synon të përgatisë kombin për rrugën e vështirë përpara.
Ndërkohë, presidenti Hollande, pranoi se do ta ketë të pamundur të zbatojë premtimin e tij për reduktimin e defiçitit buxhetor brenda kufirit të 3%. Sipas parashikimeve, defiçiti për 2013-n do të jetë prej rreth 4,5%.
Borxhi total i Francës, në fund të 2012-s kaloi nivelin e 90% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dukshëm mbi kufirin e rrezikshmërisë të vlerësuar me 60%.
Presidenti Hollande, ndryshe nga shumë homologë të tij europianë, po favorizon rritjen e taksave, në vend të shkurtimeve buxhetore, si një mënyrë për daljen nga kriza.