Sanksionet shkaktojnë kaos në Rusi, qytetarët vërshojnë bankat dhe tregjet
Moskë, 1 mars - Monedha kombëtare ruse rubla ka shënuar rënie në një të pestën kundrejt dollarit dhe monedhave të tjera ditët e fundit.
Njerëzit në rusi kanë vërshuar bankat dhe qendrat tregtare për të tërhequr dhe për të këmbyer në dollar kursimet e tyre përpara se dëmi të përkeqësohej.
Në Metropolis Mall në Moskë, rusët po nxitonin t’i kthenin paratë e tyre në mallra konsumi përpara se çmimet të rriteshin. Banka Qendrore e Rusisë ka dyfishuar normat e interesit më shumë se 20% dhe ka refuzuar të hapë bursën e Moskës deri më 5 mars.
“Ka një jostabilitet në vend. Mund të përfundojmë pa asgjë, madje as pa bukë. Unë nuk dua të mbetem e uritur”, u shpreh një qytetare ruse.
“Këto pasoja në fakt janë shumë të rënda. Unë jetoja në shekullin 21, me kartelë bankare, me të gjithë aplikacionet bankare në telefonin tim. Nuk kam përdorur kesh ndoshta për pesë vjet. Jam kundër kësaj”, tha një qytetar rus.
Me rezervat e ngrira, Banka Qendrore do të detyronte kompanitë kryesore eksportuese, duke përfshirë prodhuesit e mëdhenj të energjisë si Gazprom dhe Rosneft, të shesin 80% të të ardhurave të tyre në valuta të huaja, duke blerë në mënyrë efektive rubla për të mbështetur kursin e monedhës.
Disponimi në mesin e komunitetit të biznesit është edhe më i zymtë, njofton media ndërkombëtare “The Guardian”.
Disa pronarë të kompanive të mesme thanë se sanksionet ndaj Rusisë i kishin bërë bizneset e tyre jofitimprurëse brenda natës.
Ditë më parë pas sulmeve në Ukrainë, Perëndimi arriti unitet dhe vendosi t’i përjashtojë bankat ruse nga sistemi i transaksioneve ndërkufitare SWIFT.
Ky sistem pagesor nuk mund të përdoret më nga Banka Qendrore Ruse si dhe kreditorët më të mëdhenj rusë.
Kjo masë praktikisht ka bllokuar importet dhe eksportet ruse, veçanërisht të gazit dhe naftës. Franca ka thënë të martën se sanksionet e Perëndimit kundër Moskës, pas pushtimit në Ukrainë, do të shkatërrojnë ekonominë ruse.
Të hënën, organet botërore dhe evropiane pezulluan ekipet ruse nga të gjitha garat në futbollin ndërkombëtar, duke përfshirë ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022.
Kjo erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u bëri thirrje organizatave sportive që të përjashtojnë atletët dhe zyrtarët rusë nga ngjarjet ndërkombëtare. Edhe vendimi kundër Rusisë i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull dhe Ligës Kombëtare të Hokejve, ishte diçka që nuk ishte parë në botën e sportit në dekada.