Sanksionet e BE-së ngrijnë asete ruse me vlerë mbi 12 miliardë euro
Bruksel, 21 qershor - Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand ka bërë të ditur se sanksionet e BE-së ndaj oligarkëve rusë kanë ngrirë asete me vlerë rreth 12.5 miliardë euro.
“Vlera e përditësuar është pothuajse dyfishuar nga 6.7 miliardë euro në muajin prill. Ato përfshijnë jahte luksoze, pasuri të paluajtshme, helikopterë dhe vepra arti”, tha Wigand.
Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka miratuar raunde të shumta sanksionesh që kanë shënjestruar ekonominë e Rusisë, sistemin financiar, bankën qendrore, zyrtarët e lartë të qeverisë, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin dhe rrethin e tij të ngushtë.
Në prill, dega ekzekutive e BE-së tha se ishin sekuestruar pasuri me vlerë 30 miliardë euro.
Një zëdhënës i Komisionit konfirmoi më vonë se asetet nga Banka Qendrore ruse ishin përfshirë në shumën fillestare.
Në fund të muajit maj, u raportua një vlerë prej gati 10 miliardë eurosh pa përfshirjen e këtyre aseteve.