Safet Gergjaliu zgjedhet kryetari i Këshillit Konsultativ
Prishtinë, 11 janar - Këshilli Konsultativ sot mbajti takimin e parë për vitin 2016, ku u diskutua për punën dhe kontributin e Këshillit për vitin që lamë pas si dhe për planet për vitin 2016 të këtij Këshilli.
Të pranishmit u dakorduan se ky takim është komunikimi më i mirë ndërmjet bizneseve dhe institucioneve udhëheqëse të Kosovës.
Ministri i Financave Avdullah Hoti u shpreh se suksesi i përfaqësuesve të bizneseve është edhe sukses i Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, dhe ky sukses është i dukshëm edhe në rritjen e të hyrave nga ATK-ja dhe Dogana gjatë vitit 2015.
Ai gjithashtu i njoftoj të pranishmit se viti 2016 është viti i luftimit të informalitetit dhe krijimi i një klimë më të mirë për të bërë biznes, në Kosovë Informaliteti vlerësohet të jetë rreth 35%.
Në këtë takim gjithashtu u zgjodh edhe kryetari i ri i Këshillit Konsultativ, ku kryetar u zgjodh Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gergjaliu dhe nënkryetarë u zgjodh u.d. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Nahit Sharku.
Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, njëherit kryetar i deritanishëm i Këshillit Konsultativ falënderoi anëtarët e këtij Këshilli për punën gjatë vitit 2015 dhe theksoi se këtë Këshill e presin punë dhe sfida edhe më të mëdha gjatë këtij viti.
Unë kam pasur kënaqësinë të jem për një vit kryetar i këtij Këshilli dhe kam pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm me të gjithë anëtarët e këtij Këshilli gjë që këtë ja uroj edhe Kryetarit të ri të Këshillit për vitin 2016, u shpreh Zeka.
Ndërsa, kryetari i ri i këtij Këshilli Safet Gërgjaliu, kryetari i OEK , pas pranimit të detyrës u shpreh se gjatë këtij viti na presin punë të mëdha sa i përket ardhjes në ndihmë të bizneseve përmes bashkëpunimit ndërmjet nesh dhe Qeverisë së Kosovës, për funksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave të Tatimpaguesve, si dhe për përmirësimin e klimës për të bërë biznes në Kosovë por edhe përkushtimin e përbashkët për luftimin e informalitetit.
Në këtë takim të pranishëm ishin ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i OEAK Arian Zeka, kryetari i OEK Safet Gergjaliu, kryetari i AKB-së Agim Shahini dhe drejtori i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna.