Rusia gati të ndihmojë vendet e eurozonës
Moskë, 28 tetor - Pas Kinës edhe Rusia ka shprehur gadishmërinë për të mbështetur vendet e eurozonës, por vetëm nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Këshilltari ekonomik i Kremlinit, Arkadi Dvorkoviç, deklaroi kështu në një intervistë për radion Golos Rossii.
Për ne do të ishte e preferueshme që Rusia të merrte pjesë në mekanizmat e stabilizimit nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin ne do të këmbëngulim , tha shprehimisht ai.
Ai theksoi gjithashtu se Moska nuk ka si qëllim të blejë detyrimet e borxheve të disa vendeve.
Rusia i ka të gjitha shanset për arritjen e rritjes ekonomike deri në 6% në vit. FMN-ja parashikon gjithashtu rritjen e PBB-së së Rusisë në vitin 2011 deri në 4.3%.
Inflacioni në Rusi mund të stabilizohet në një perspektivë afat-mesme në nivelin 3-4% në vit.