Rusia do ti japë Serbisë kredi prej 500 milionë dollarë

Shuma totale e kredisë është 500 milionë dollarë, njoftoi për gazetarët Ministri rus i Financave, Anton Silluanov.
Kredia ruse për Serbinë, është lëshuar për 10 vjet, me një normë interesi prej 3.5 për qind, por kjo shumë paraqet vetëm gjysmën e asaj që Serbia kërkonte për të kthyer rritjen ekonomike në vend, pas recesionit të vitit të shkuar.
Kryeministri rus Dmitry Medvedev i tha mysafirit të tij serb Ivica Daçiq në Moskë se Rusia do të mbështes gjithmonë miqtë serb, por i ka tërhequr vëmendjen se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet nga vet Beogradi.
Në shtator të vitit 2012 Serbia iu drejtua Rusisë me kërkesën për dhënien asaj të një kredie shtetërore për mbulimin e deficitit buxhetor të vendit.
Fillimisht u mendua akordimi i një kredie prej 1 miliard dollarë, por në mars të këtij viti Ministri serb i Ekonomisë dhe Financave, Mllagjan Dinkiç, deklaroi se po zhvillohen bisedime për marrjen e një kredie prej 500 milionë dollarë.