19 Nëntor 2024

Rushiti: “Trepça” duhet t’i mbetet Kosovës

Prishtinë, 20 dhjetor - Kombinati “Trepça” duhet të mbetet nën menaxhim të institucioneve të Kosovës, pasi një menaxhim i mirë do të sillte të mira për të gjithë popullin e Kosovës. Ajo pasuri, e cila dikur ishte motor për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe më gjerë, duhet të ristrukturohet dhe të jetë në shërbim të gjenerimit të vendeve të reja të punës.

Kështu ka deklaruar Hamdi Rushiti, drejtor ASF grupi slloven “Signal”, e cila kompani është i interesuar ta bëjë riorganizimin e ndërmarrjes “Trepça”.

Rushiti në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se shpëtimtarja e Kosovës në aspektin ekonomik është “Trepça”, por për të pasur gjenerim më të madh duhet investuar në të.

 

“Këto investime duhet të bëhen në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare. Duhet të sillet teknologji e re, për të pasur prodhime më cilësore. Kombinati ‘Trepça’, ka qenë një ndër gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Mitrovicës, Kosovës, por edhe më gjerë. Ajo ka qenë shtylla kryesore e zhvillimit dhe e prezantimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi produktet e ‘Trepçë’-s janë eksportuar në shumë vende të botës”, ka theksuar ai.

Rushiti ka bërë me dije se udhëheqja e ekipit slloven nga Lubjana, së bashku me grupin biznesor nga Kosova, janë duke e përgatitur programin e riorganizimit të “Trepçë”-s në bazë të ekonomisë së tregjeve ndërkombëtare.

 

“Kombinati ‘Trepça’ tani është e përgatitur për riorganizimin e të gjitha kapaciteteve ekonomike dhe të pasurisë së tyre sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, të aplikueshme dhe ekonomisë evropiane, pasi Kosova po shkon drejt rrugës së saj, e cila do ta harmonizojë tregun me Bashkimin Evropian (BE)”, ka theksuar ai.

Rushiti ka vlerësuar se ka ardhur koha kur të gjithë qytetarët e Kosovës po pajtohen të ketë bashkëpunim ekonomik për të pasur një perspektivë më të mirë që do t’ua përmirësonte jetën.  Ai ka thënë se edhe qytetarët e komunitetit serb në Kosovë po e ndjejnë një gjë të tillë.

“Unë jam i bindur se ka kaluar koha kur etniteti serb ka mundur t’i bllokojë proceset e ‘Trepçë’-s. Tash është koha që me riorganizimin e ri, kapaciteteve ekzistuese të ‘Trepçë’-s, duhet të krijohet një mundësi zhvillimi dhe punësimi në Stantërg, Zveçan dhe Leposaviq. Në pjesën veriore janë të punësuar rreth një mijë punëtorë me pagë mesatare deri në 700 euro në muaj. Është e sigurt se, edhe pse është paraparë të krijohet Asociacioni i Komunave të Kosovës, nuk do ta marrë nën kontroll pasurinë e ‘Trepçës’”, ka theksuar ai, duke shtuar se deri më tani “Trepça” nuk ka pasur program zhvillimor dhe prodhues. “‘Trepça’ kryesisht është marrë me tenderimin e teknologjisë së vjetër si mbeturinë e hekurit”, ka deklaruar ai.

Rushiti ka dhënë arsyet pse “Trepça” nuk ka pasur mundësi të kontribuojë në zhvillimin e saj dhe të Kosovës. “Kombinati ‘Trepça’ në 20 vjetët e fundit nuk i ka pasur dy mundësitë kryesore që e zhvillojnë një ndërmarrje; mundësitë kadrovike dhe mundësitë kreditore, që janë dy shtyllat kryesore për një përparim të një kompanie”, ka thënë ai.

Rushiti ka bërë me dije se ka shumë firma të interesuara nga Sllovenia dhe Kroacia për të investuar në Kombinatin “Trepça”. Rushiti, i cili për shumë vite ka menaxhuar një numër të kompanive të mëdha në Kosovë dhe në vende të jashtme, ka vlerësuar se marrëveshja e arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për t’i harmonizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, është e mirë për të dy vendet, për popujt, por edhe për gjithë rajonin.

“Kjo marrëveshje do të bëjë që ta kemi një stabilizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ajo do të sjellë perspektivë ekonomike, pasi investitorët e huaj nuk vijnë në një rajon me tregje të vogla, ku popullsia është e vogël”, ka thënë ai. Sipas tij, hapja e Ballkanit për në Evropë sjell zhvillim dhe investime të reja.

 

“Edhe ‘Trepça’ do të përfitojë nga marrëveshja ndërmjet dy vendeve, pasi garantues është Bashkimi Evropian dhe kjo do të sjellë edhe vende të reja të punës”, ka theksuar Rushiti, duke treguar se grupi i bizneseve ndërkombëtareve që e kanë e vizituar “Trepçën” ka konstatuar se perspektiva e “Trepçë”-s është shumë e madhe, sepse ka rezerva të mëdha në Stantërg e Zveçan.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)