Rumunët shumë të interesuar për investime në tregun e Kosovës
Biznesemenët rumun janë interesuar rreth mundësive për investime që ofron Kosova për bërje të biznesit, infrastrukturën ligjore, fuqinë punëtore, taksave dhe bashkëpunimit të bizneseve ndërmjet dy shteteve.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i ka njoftuar investitorët nga Rumunia rreth mundësive për investime që ofron Kosova për bërje të biznesit.
Interesimi i bizneseve rumune për të investuar në Kosovë është mjaft i madh, por duhet gjetur format e bashkëpunimit. Shumë biznese kanë ardhur, janë interesuar dhe priten edhe investime konkrete. Ato kanë shprehur gatishmërinë për të investuar dhe presim veprime konkrete, tha Agim Shahini.
Kryetari i AKB-së tregoi se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Zyrën e Rumanisë në Kosovë, por edhe me institucionet tjera të Bukureshtit dhe se bashkëpunimi dita ditës po rritet. Kosova është një vend i cili ofron shumë mundësi të mira për investime. Infrastruktura ligjore, fuqia punëtore, taksat e gjëra të tjera janë më të mira dhe më të lira sesa në Rumani dhe këto janë arsyet pse shumë investitorë rumun kanë shprehur interesim për investime në vendin tonë, tha Shahini.
Kryetari i AKB-së shprehi gatishmërinë për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve sa i përket aspkektit të zhvillimit ekonomik, edhe pse sipas tij mungon bashkëpunimi politik, e i cili është në rrugë të mirë drejt përmirësimit. Në këtë drejtim AKB-ja po kontribuon mjaft.
Shahini tregoi se janë bërë përpjekje konkrete dhe vizita të AKB-së e bizneseve nga Kosova në Rumani me nënshkrimin e një marrveshje ekonomike që raportet ekonomike, por edhe ato politike të përmirësohen. Ai shtoi më tej se si rrjedhojë e ndryshimit të politikës rumune ndaj Kosovës ditëve të fundit, në një të ardhme të afërt do të ketë edhe thellim të bashkëpunimit pos aspektit ekonomik edhe në atë politik.
Deri më tash bashkëpunimin ekonomik nuk e ka penguar askush, por kanë munguar iniciativat e dy palëve dhe nga ky vit gjërat kanë ndryshuar për të mirën në favor të bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve kosovare dhe atyre rumune, tah Shahini. Sipas tij raportet ndërmjet bizneseve të dy vendeve janë thelluar dhe pritet vetëm investime konkrete
Nga ana tjetër, investitorët rumun Badea George Cristian dhe Adrian Isac, shprehën gatishmërinë dhe u interesuan për investime në Kosovë. Ata thanë se janë të interesuar të bashkëpunojmë e investojnë në fusha të tekonologjisë informative dhe fusha të tjera, por sidomos në programe dhe prodhim të dokumenteve të udhëtimeve pasaporta, letër njoftime e dokumente tjera të cilësisë më të lart ndërkombëtare.