Rukiqi me tri poste, dyshimet për konflikt interesi
Prishtinë, 9 tetor - Sekretari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ditë më parë e mori postin e kryetarit të Bordit në KEK, por nuk është tërhequr nga Oda Ekonomike.
Ai dyshohet se është në konflikt interesi. Ministri i Financave Besim Beqaj e ka shpërblyer me një pozitë, asistentin e tij në fakultet, Rukiqin që ka tri marrëdhënje pune (Sekretar në OEK, asistent në Fakultetin Ekonomik dhe tash kryetar i Bordit të KEK-ut).
Por, vetë Rukiqi javën e shkuar për gazetën, ka mohuar te jetë person politik apo i afërt me ndonjë parti politike, por nuk e mohon miqësinë e tij që e ka me ministrin e Financave, Besim Beqaj.
Rukiqi njoftoi të marten se ditë më parë e kanë mbajtur mbledhjen e parë të Bordit të ri të KEK-ut, ndërsa të hënen u prit nga Ministri i MZHE-së, Fadil Ismajli.
Në pritje të shqyrtimit të rastit nga Agjencioni Antikorrupsion, Rukiqi sikur tha se së shpejti do të përcaktohet se cilin nga këto dy poste do ta mbajë, të sekretarit të OEK-ut apo të kryetarit të ri të Bordit të KEK-ut.
Degradimi i kompanive publike
Avni Zogiani nga OJQ , Qohu , vlerësoi se kjo qasje ndaj kompanive publike ka për qëllim pikërisht atë që është arritur deri tani: degradimin e kompanive deri në masën sa ndonjë klientë i Qeverisë të ketë mundësi të bëjë biznes apo të privatizojë kompanitë.
Ka qenë pikërisht nën udheheqjen e Besim Beqajt koha kur disa kompani kanë pësuar degradim të vazhdueshëm dhe kjo arrihet sidomos duke vendosur në krye të këtyre bordeve njerzë të afërt me ta siç është rasti i asistentit të Beqajt, Berat Rukiqi., u shpreh ai.
Vetë dokumentat e Qeverisë siç janë strategjitë për privatizim konstatojnë korrupsion qeveritar në kompani publike. Pra ata nuk po e bëjnë këtë rastësisht, por po duan të degradojnë vlerën e kompanive deri në masën sa të jenë të kapërdishme për klientet e tyre, të cilet pastaj do i shpërblejnë nivelin politik për shërbimin e bërë, tha ai.
Kolonizimi i ndërmarrjeve dhe institucioneve
Deputet nga radhët e Lëvizjes Vetevendosje , Visar Ymeri, tha se ky është kolonizim i institucioneve e agjensive të pavarura të Kosovës dhe të ndërmarrjeve publike të Kosovës nga klanet e afërta me Hashim Thaçin.
Sipas tij këto emërime nëpër bordet e agjencive dhe të ndërmarrjeve publike janë të korruptuara për shkak se emërimet e tilla i shërbejnë interesave partikolare të bizneseve të caktuara të afërta me pushtetin e jo interesit të ndërmarrjeve e aq më pak interesit të përgjithshëm.
I tërë sistemi politik dhe ekonomik në Kosovë është vendosur në funksion të këtyre interesave të korporatave të vendit dhe të jashtme të cilat janë të lidhura me pushtetin, dhe të cilave u shërben ky pushtet i votës së vjedhur., deklaroi ai për Kosova SOT.
Edhe kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha të marten se sekretari i tashëm i OEK-ut Berat Rukiqi, nuk ka ofruar dorëheqje nga posti i tashëm.
Kreu i AKK-së, Hasan Preteni tha se janëduke i përcjellur në të gjitha rastet ku Agjencia mund të gjenë bazë ligjore për te vepruar, si në rastin e Rukiqit.