Rroga mesatare në Rusi pëson rënie me 34 për qind
Moskë, 25 maj - Sipas raportit me titull Situata Socio-Ekonomike e Popullit, përpiluar nga Shkolla e Lartë Ekonomike e Moskës, niveli i pagës mesatare të vitit 2015 në Rusi ka pësuar një rënie me rreth 34% në krahasim me 2014-n dhe është reduktuar në 558 dollarë amerikanë.
Raporti në fjalë sqaron se zhvlerësimi i rublës ruse përballë valutës amerikane ka bërë që rroga mesatare në Rusi të bjerë në nivelin e pagës mesatare në Kazakistan, një nga ish-republikat sovjetike.
Kryeanalisti i Sberbank, Mikhail Matovnikov, kishte tërhequr vëmendjen më parë gjatë këtij viti se niveli i rrogës mesatare ruse në 2016-n ka rënë nën 450 dollarë, gjë që nënkupton se krahu i punës në Rusi është tashmë më i lirë sesa në Kinë, ku paga mesatare figuron rreth 460 dollarë.
Agjencia Federale e Statistikave në Rusi (Rosstat) njoftoi pak ditë më parë se të ardhurat reale të muajit prill në vend kanë rënë me 7,1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bazuar tek një draft, që Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë i paraqiti qeverisë rreth dy javë më parë, pagat në vend do të reduktohen për 3 vite me radhë që nga 2016-a duke synuar që PBB-ja të rritet me 4,5% deri në fund të 2019-s.