Rritja ekonomike për vitin 2014 ishte 3.0 për qind
Prishtinë, 28 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë për vitin 2014 pritet të jetë 3.0 për qind, që vazhdon të mbajë Kosovën ndër vendet me normën më të lartë të rritjes ekonomike në rajon.
Vazhdimi i rritjes ekonomike i ka mundësuar vendit ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, mirëpo adresimi i sfidave kryesore për ekonominë e Kosovës, siç është zvogëlimi i mëtejmë i normës së papunësisë, kërkon norma edhe më të larta të rritjes ekonomike. Rritja e ekonomisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe vlerësohet të jetë kryesisht rezultat i rritjes së konsumit, përderisa neto eksportet vlerësohet të kenë ndikuar negativisht në normën reale të rritjes ekonomike, thuhet në raportin e stabilitetit financiar.
Sipas BQK-së, efekti i investimeve në normën reale të rritjes mund të konsiderohet të ketë qenë negativ për vitin 2014. Zhvillimet globale të çmimeve janë reflektuar edhe në Kosovë, ku norma e inflacionit në qershor 2014 qëndroi në 0.3 përqind, që paraqet nivelin më të ulët të inflacionit në vitet e fundit.
Sistemi financiar i Kosovës ka vazhduar të reflektojë nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjithë sektorët përbërës të tij.
Aktiviteti ndërmjetësues financiar gjatë gjysmës së parë të vitit 2014 përshpejtoi trendin e rritjes duke ndryshuar trajektoren e ngadalsimit që e karakterizoi në dy vitet e fundit. Vlera e gjithsej kredive deri në qershor 2014 arriti në arriti në 1.89 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 3.5 për qind, thuhet në raportin e BQK-së.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, bankat në përgjithësi kanë lehtësuar standardet e kreditimit si dhe kanë ofruar kushte më të favorshme për klientët kreditor. Struktura e kreditimit të ndërmarrjeve sipas aktivitetit ekonomik mbetet e ngjashme me periudhat paraprake. Pjesa më e madhe e kredive të ndërmarrjeve vazhdon të dominohet nga kreditë për sektorin e tregtisë, të cilat në qershor 2014 kishin një pjesëmarrje prej 52.2 për qind në gjithsej kreditë për ndërmarrjet.
Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar të Kosovës vazhdojnë të jenë depozitat e mbledhura brenda vendit, rritja e vazhdueshme e të cilave i bënë ato një burim të qëndrushëm financimi. Në qershor 2014, gjithsej depozitat arritën vlerën prej 2.42 miliardë euro, thuhet në raport.
Sipas BQK-së, që paraqet rritje vjetore prej 10 për qind, rritje kjo më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Burimi kryesor i depozitave në sektorin bankar të Kosovës vazhdojnë të jenë ekonomitë familjare, depozitat e të cilave konsiderohen të jenë më stabile në raport me burimet tjera të financimit. Sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të ulët të ekspozimit ndaj sektorit të jashtëm si në kuadër të aseteve ashtu edhe të depozitave, duke bërë që ndjeshmëria e sektorit ndaj zhvillimeve në tregjet e jashtme të jetë e ulët.(A.BELA)