05 Maj 2024

Rritja ekonomike parashikohet të jetë 5.3 për qind në 2011

Prishtinë, 18 mars - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka diskutuar për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2011 dhe ka rekomanduar që ai të miratohet në parim nga Kuvendi.

Pasi shfaqi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar ngushtë me komisionin në të gjitha çështjet, ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi projektligjin para anëtarëve të komisionit.

Në fjalën e tij, ministri Hamza bëri një përmbledhje të përgjithshme të të gjitha segmenteve të buxhetit për këtë vit, ndërsa vëmendje të veçantë i kushtoi marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ai tha se në raport me marrëveshjen e tetorit me FMN-në, sa i përket pjesës së të hyrave buxhetore, ka një ngritje prej 109 milionë euro, të hyra këto, që, sipas tij, janë diskutuar në detaje dhe harmonizuar me FMN-në.

“Një pjesë e të hyrave ka të bëjë me ngritjen e të hyrave në Dogana dhe Administratë Tatimore, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me deklarimin e dividentës prej 45 milionë euro nga kompanitë publike, PTK-ja dhe Aeroporti”, theksoi ministri Hamza.

Ai shtoi se ka përafrim të qëndrimeve me FMN-në rreth çështjes së pagave, ndërsa harmonizim në çështjet e tjera. Hamza shfaqi besimin për një përfundim pozitiv edhe rreth çështjes së pagave.

Ministri i Financave foli për rritjen e investimeve dhe të të hyrave, të cilat i arsyetoi me një varg zhvillimesh pozitive.

Ai tha se rritja ekonomike mesatare vjetore për periudhën 2011-2013, parashikohet të jetë 5.1 për qind, ndërsa 5.3 për qind për vitin 2011.  

Projektbuxheti iu nënshtrua një debati të gjerë në komision, anëtarët e të cilit ngritën çështje të ndryshme dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit të Financave.

Shqetësimet e tyre kishin të bënin kryesisht me marrëveshjen me FMN-në, qëndrushmërinë e të hyrave dhe qëndrueshmërinë e buxhetit në tërësi, burimet e financimit të autostradës Morinë-Merdar etj., rreth të cilave dha sqarime ministri Hamza.

Pas shterjes së debatit, komisioni i rekomandoi Kuvendit që në shqyrtimin e parë ta miratojë në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011.

Në mbledhje u diskutua edhe rreth dëgjimeve buxhetore, në të cilat do të shqyrtohen kërkesat e agjensioneve buxhetore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)