Rritja ekonomike nxitet nga masat kundër ndryshimit të klimës
New York, 23 shtator - Një raport historik i publikuar ditët e fundit nga Kombet e Bashkuara arrin në përfundimin se rritja ekonomike mund të nxitet nga masat kundër ndryshimit të klimës.
Raporti u publikua në prag të takimit të nivelit të lartë të OKB-së për klimën më 23-shtator, që pritet të bashkojë 125 udhëheqës shtetesh me drejtues të biznesit dhe të shoqërisë civile.
Raporti mbështet me argumente ekonomike marrjen e masave të forta kundër ndryshimit klimatik. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun thotë se me nivelet aktuale rekord të gazeve ndotëse që shkaktojnë ndryshim klimatik, kjo nuk është rruga që bota duhet të ndjekë drejt mirëqenies.
"Kemi nevojë për një transformim strukturor në ekonominë globale. Ky raport argumenton për një model të ri, ku rritja ekonomike dhe masat për klimën përforcojnë njëra-tjetrën dhe tregon se si mund ta ndërtojmë këtë model."
Raporti përqendrohet tek ndryshimet në tre fusha kryesore: qytetet, toka dhe energjia, thotë Felipe Calderon. Ish-presidenti i Meksikës kryeson Komisionin Global për Ekonominë dhe Klimën që përgatiti raportin.
"Ne vlerësojmë se këta tre sektorë do të kërkojë investime prej rreth 90 trilionë dollarësh gjatë 15 viteve të ardhshme. Ky nivel investimesh në vetvete është një mundësi e madhe për të ndryshuar të ardhmen."
Zoti Calderon thotë se mënyra se si qeveritë do të administrojnë investimet e tyre në energji, transport dhe ushqim për popullatën në rritje të botës do të përcaktojë rritjen ekonomike, prodhueshmërinë dhe standardet e jetesës për të ardhmen.
"Dhe ne nuk po sugjerojmë të ndajmë rritjen ekonomike prej kërkesës për energji. Ajo që po themi është se duhet të ndajmë rritjen ekonomike nga ndotja prej karbonit."
Qendra urbane më kompakte të ndërtuara rreth transportit publik mund të rrisnin ekonominë duke u bërë vende më të shëndetshme për të jetuar dhe më pak ndotëse. Rigjenerimi i tokës në ferma të degraduara mund të ushqejë miliona njerëz. Uljet dramatike të çmimeve po i bëjnë investimet në energjinë e ripërtëritshme më tërheqëse. Dhe prej efikasitetit më të madh tashmë po arrihen kursime të jashtëzakonshme.
Raporti rekomandon heqjen graduale të subvencioneve për lëndët djegëse fosile, duke vënë një çmim për karbonin dhe duke rritur novacionet në teknologjitë me përmbajtje të ulët karboni. Marrja e këtyre masave mund të ndihmojë rritjen e ekonomisë duke shmangur pasoja të një bote më të ngrohtë, thotë drejtori i programit të Komisionit Global Jeremy Oppenheim.
"Raporti bazohet tek përvoja reale e investimeve që janë të suksesshme për rritje ekonomike më të lartë dhe në të njëjtën kohë për klimë më të mirë, dhe tek politikat që janë të suksesshme, dhe tek qytetet që po veprojnë siç duhet. Pra, bëhet fjalë për marrjen e asaj që kemi mësuar gjatë viteve të fundit, duke e ngritur në shkallë globale."
Këto ide do të diskutohen në takimin për klimën të OKB-së javën e ardhshme. Rezultatet mund të jetë në qendër të një traktati të ri për klimën që do të finalizohet në një konferencë të Kombeve të Bashkuara në Paris në fund të vitit të ardhshëm.