Rritja ekonomike në tri vitet e ardhshme do të jetë 4,4 për qind
Prishtinë, 29 prill - Ministri i Financave Avdullah Hoti, në konferencën e sotme për media, rritja ekonomike në vend në bazë të KASH-it parashihet që të jetë më e lartë sesa 2-3 vitet e fundit, pritet që të arrijë diku në 4.4 % mesatarisht për 3 vitet e ardhshme me tendencë që kjo rritet.
Ai bëri të ditur se të hyrat e përgjithshme do të rriten mesatarisht me 20% në krahasim me të hyrat e vitit 2014, ndërkaq shpenzimet do të rriten me 19 % në krahasim me shpenzimet e viti 2014.
Këta kufij buxhetor i akomodojnë nevojat që ne si Qeveri i kemi dhe mundësojnë realizimin e këtyre projekteve madhore të cilat tash veç i kemi filluar, siç është ndërtimi i kapaciteteve të reja në energjetikë, zhvillimi i resorit turistik të Brezovicës, dhe shumë projekte të tjera në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe disa sektorë tjerë. Politika të veçanta të prezantuara në kuadër të këtij dokumenti janë rritja e vazhdueshme e sektorit të bujqësisë duke i mbështetur me subvencione dhe me grante bujqit dhe fermerët në funksion të zëvendësimit të importit të lartë të produkteve bujqësorë që kemi si vend, tha Hoti.
Ai bëri të ditur se Korniza Afatmesme mundëson zbatimin e Kontratës Kolektive sa i përket përvojës së punës dhe sigurimit shëndetësor në plotësi për këtë periudhë kohore dhe gjithashtu mundëson që ne të mbështetim në aspektin buxhetor për aq sa është e nevojshme transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosura të Kosovës, si dhe mundëson vazhdimin e financimit dhe mbështetjes për kategoritë e veçanta siç janë ish të përndjekurit dhe të burgosurit politik, veteranët e luftës dhe kategoritë e tjera.
Do të vazhdojmë me zgjerimin e skemës sociale për të mundësuar zbatimin e ligjeve specifike dhe gjithashtu do të vazhdojë mbështetja financiare për rendin dhe sigurinë, reformën në arsim, reformën në shëndetësi dhe në administratën publike. Të gjitha këto reforma dhe programe qeveritare janë të buxhetuara plotësisht në kuadër të KASH-it tha Hoti
Ministri i Financave bëri të ditur se tek buxhetet komunale Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë në këtë vit ka zbatuar një formulë detale të shpërndarjes së grantit për arsim nëpër komuna, që merr parasysh specifikën e secilës komunë sa i përket numrit të nxënësve të komunitetit shumicë dhe komunitetit pakicë, numrit të shkollave, stafit teknik duke ndarë buxhet të veçantë edhe për pushimet e lehonisë edhe për sigurimin shëndetësor, por edhe për rritjen e pagave prej 0.5 % duke u bazuar në përvojën e punës. Gjithashtu është vendosur që në tri vitet e ardhshme grantin për arsim nëpër komuna ta rrisim edhe me 10 milionë shtesë krahasuar me vitin që po e lamë pas, pra vitin 2015.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e cila u aprovua sot në mbledhjen e Qeverisë në terma të përgjithshme ashtu siç jemi dakorduar edhe me FMN-në në vizitën që kam pasur më herët në Uashington na mundëson që të mbajmë stabilitetin makrofiskal në vend dhe në të njëjtën kohë na mundëson implementimin e projekteve të cilat i përmenda.
Ministri Hoti në këtë konferencë për Media gjithashtu njoftoi për aprovimin e Raportit tre mujor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për periudhën Janar Mars të këtij viti.
Unë me kënaqësi e them që për shkak të masave që ne i kemi ndërmarrë në javët e para të janarit kemi arritur që shpenzimet e Buxhetit ti zvogëlojmë edhe për 13 % gjatë kësaj periudhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014
Ministri Hoti e vlerësoj si një sukses të jashtëzakonshëm shkurtimin e këtyre shpenzimeve të Qeverisë që në muajt e parë të qeverisjes, e që në ndërkohë nuk është prekur fare kualiteti i shërbimeve publike që ofrojmë si Qeveri. Përkundrazi, në shumë fusha është rritur duke bërë planifikim më të mirë dhe shpenzim më adekuat.
Në këtë Konferencë Ministri Hoti prezantoi edhe Strategjinë e Borxhit për 3 vitet e ardhshme :
Është hera e parë që ne në Qeveri po e prezantojmë dhe po e aprovojmë së bashku me KASH-in edhe Strategjinë e Borxhit për 3 vitet e ardhshme, që në fakt kjo Strategji do ti akomodojë dhe do ti plotësojë nevojat e KASH-it.
Do të ndërrojmë për tri vitet e ardhshme komplet qasjen që kemi në borxhin publik duke dalë në tregje ndërkombëtare, duke mos huazuar vetëm në tregjet vendore përmes letrave me vlerë por duke negociuar drejtpërdrejtë me organizata financiare ndërkombëtare siç është Banka Botërore, EBRD , JICA japoneze dhe plotë organizata të tjera .
Ndërsa, sa i përket grevës së organizuar nga SBASHK-u Ministri Hoti e ka cilësuar plotësisht të paarsyeshme dhe sipas tij Sindikata dhe mësimdhënësit duhet të jenë shumë më racional në veprimet e tyre për shkak se është e papranueshme që nga 420 mijë nxënës sot një numër i tyre të mos shkojnë në shkollë pa ndonjë arsye sepse nuk ka ndonjë kauzë apo arsye për këtë grevë.
Ne mendojmë që kjo grevë është plotësisht e paarsyeshme, unë po ju jap informata që deri në muajin mars shtesën prej 0.3 % të përvojës së punës e kanë marrë vetëm 19 mijë arsimtarë. E kanë marrë 0.3% të pagës së vitit 2010 . Në përvojën e punës të këtyre 19 mijë arsimtarëve nuk është përfshirë përvoja nga vitit 2008 e këndej, pra kanë munguar 7 vite të përvojës së punës tha Ministri Hoti .
Tani me këtë vendim të Qeverisë me kalkulimet që dje i kemi përfunduar në Ministri të Financave në pagesën e përvojës së punës jo prej 0.3 % por 0.5 % do të përfshihen të gjithë arsimtarët: 24 mijë arsimtarë, do të përfshihen 4 mijë veta staf administrativ dhe teknik nëpër shkolla në të gjitha komunat dhe do të merret parasysh komplet përvoja e punës deri në vitin 2015. Ne e kemi kostuar këtë dhe kemi ndarë 11.2 milionë euro dhe kemi shkurtuar shpenzime poshtë e lartë nëpër të gjitha organizatat buxhetore për këtë qëllim.
Unë i garantoj ata që shtesa do të jetë 0.5 % në pagën e muajit mars dhe do tju llogaritet komplet përvoja e punës dhe përvoja gjatë viteve 90-ta, edhe përvoja prej vitit 2008 e këndej tha Hoti.
Ministri i Financave Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se është vendim i Qeverisë që në pagesën 0.5% të përvojës së punës të përfshihen të gjithë ata që marrin paga prej sektorit publik.
Tani po punojmë me Ministrinë e Administratës Publike në formularë, në plotësimin e formularëve që secili i punësuar në sektorin publik të dëshmojë përvojën e punës dhe mbi atë bazë të fillojmë pagesën e saj, sa më shpejtë që është e mundshme tha Hoti.