Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2015 arriti në 3.6 për qind
Prishtinë, 13 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2015 arriti në 3.6 përqind sipas Bankës Botërore, rritje e konsiderueshme krahasuar me vendet tjera të rajonit.
Sipas tij është shumë e rëndësishme se rritja ekonomike për vitin 2015 është e nxitur nga investimet, duke lënë në plan të dytë konsumin, që vazhdimisht në vitet e fundit gjeneronte rritjen. Rol tejet të rëndësishëm në rrijen ekonomike kanë pasur edhe Investimet e Huaja Direkte, të cilat për vitin 2015 arritën në 324 milionë euro.
\"Të gjitha raportet ndërkombëtare, i vlerësojnë lartë ndryshimet e politikave ekonomike dhe i konsiderojnë si faktor kryesor në kthimin e trendit të investimeve, rrjedhimisht edhe të rritjes ekonomike\", ka shkruar Mustafa në facebook.
Sipas tij përkundër ambientit të vështirë gjatë vitit 2015, përkushtimi i plotë i Qeverisë për të pasur fokus në zhvillim ekonomik, ka dhënë dhe do të vazhdojë të jap rezultate të fuqishme.