Rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet
Tiranë, 12 prill - Në Shqipëri, Banka Botërore deklaroi sot se ajo parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike të vendit për dy vitet e ardhshme.
Për vitin 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto, sipas të dhënave paraprake të Institutit të Statistikave, u ngjit në 3,84 përqind. N
ë raportin e saj periodik mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore theksoi se pret që për vitin 2018 rritja në Shqipëri, të zbresë në 3.6 përqind dhe të vijojë të ulet sërish në 3.5 përqind në vitin 2019, për shkak të rënies së investimeve në projektet e mëdha në sektorin energjitik, si punimet për gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline, Tap, dhe ndërtimi i hidrocentralit mbi lumin Devoll.
Parashikimet e Bankës Botërore janë në linjë me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që Qeveria shqiptare është optimiste, dhe për 2018 parashikon një rritje prej 4,1 përqind, si dhe një rritje progresive në vitet në vazhdim.
Sipas Bankës Botërore “perspektiva e rritjes ekonomike është pozitive, por jo e qartë”, ndërsa rendit faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të ndikojnë pozitivisht si dhe rreziqet që mund të ngadalësojnë rritjen.