Rritja e pagave të jetë së paku 43 për qind
Prishtinë, 4 mars - Lidhja Demokratike e Kosovës, në një konferencë me gazetarë, të mbajtur në Prishtinë, ka paraqitur vërejtjet dhe shqetësimet e saj për të ashtuquajturën rritje pagash, të cilën ka ditë që po e trumbeton qeveria në ikje e Kosovës. Po ashtu, LDK-ja shfaqi brengosjen për numrin enorm të ikjes së bashkëqytetarëve tanë nga vendi, sidomos i të rinjve.
Kështu, z. Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë së LDK-së, duke folur për rritjen e pagave, pohoi se rritja e pagave për punëtorët në sektorin publik duhet të jetë së paku 43% për të qenë rritje reale prej 30%.
Ky qëndrim, vijoi ai, mbështetet në argumentet në vijim: Inflacioni gjatë mandatit të kësaj qeveria nga vitit 2011 e këndej ka qenë në kumulativ 13%. Kjo nënkupton se për 13% ka rënë fuqia blerëse e pagave.
Qartësojmë se buxheti për paga për 2014 është vetëm 11% më i lartë se më 2013, apo për 48 mil euro.
Në raportin e dërguar nga Qeveria e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, më datë 5 dhjetor 2013, të nënshkruar nga Kryeministri, Ministri i Financave dhe Guvernatori i Bankës Qendrore, theksohet se buxheti i rritur për paga përfshin:
· 13 mil euro për punësime të reja prej 1,399 personave (në komunat në veri dhe në universitetet e reja publike), dhe
Pjesa e mbetur prej 35 mil euro për rritje të pagave, përfshirë reformën në administratën publike.
Nëse shuma prej 35 mil euro, ndahet për 82,000 shërbyes civilë për 12 muaj, atëherë rritja e pagave del të jetë 36 euro në muaj.
Nëse marrim pagën mesatare në sektorin publik prej 360 euro, atëherë kjo rritje është vetëm 10%.
Pra, kjo rritje nuk i kompenson punëtorët as për zhvlerësimin e pagës nga rritja e çmimeve. Sasia e mallrave që është blerë me pagën e vitit 2011, nuk mund të blihet me pagën e vitit 2014 edhe pasi të rritet ajo.
Prandaj, LDK-ja vlerëson se rritja duhet të jetë së paku 43% për të qenë rritje reale për së paku 30%.
Kujtojmë se kjo rritje e pagave, tha z. Hoti, u premtua gjatë fushatës së fundit zgjedhore për zgjedhje lokale, njësoj siç u premtua edhe më 2010 para zgjedhjeve të përgjithshme. Shihet qartë se kjo rritje e pagave është e motivuar për qëllime elektorale.
LDK-ja vlerëson se rritja e pagave nuk duhet të bëhet vetëm në kohë zgjedhjesh. Rritja duhet të jetë e rregullt, në baza vjetore, në përputhje me rritjen e çmimeve dhe me rritjen e buxhetit të shtetit.
Sipas z. Hoti, në Qeverinë e ardhshme të LDK-së pagat do të rriten për të siguruar standardin e jetës së qytetarëve dhe familjeve të tyre.
Në qeverinë e ardhshme të LDK-së do të krijohen vende pune në sektorin privat dhe do të rriten mundësitë për biznes. Kjo do të bëjë që rritja e pagave në sektorin publik të mos jetë e rëndësishme për të hyrat e familjeve kosovare, pasi të rinjtë do të gjejnë punë në sektorin privat.
Ndërkaq, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së, znj. Alma Lama, duke paraqitur qëndrimet e LDK-së, sa i përket dukurisë së braktisjes së vendit, sidomos nga të rinjtë, tha se, vetëm në vitin 2013, mbi njëzet mijë të rinj e lëshuan Kosovën.
Lidhja Demokratike e Kosovës, tha ajo, është e shqetësuar për numrin e madh të qytetarëve që po e braktisin vendin nga viti në vit.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, 20. 245 persona kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Evropian vetëm gjatë vitit 2013. Kosova është renditur në mesin e 10 vendeve që më së shumti kanë kërkuar azil, krahas atyre vendeve që janë të prekur nga lufta, si Siria Afganistani, Iraku, Irani, Somalia, Nigeria, Bangladeshi etj.
Krahasuar me vitin 2012, kur numri i azilkërkuesve ishte 10135, dhe vitin 2011 rreth 9000, kemi dyfishim të numrit. Kjo situatë flet për gjendjen e rëndë që po jetojnë qytetarët e Kosovës. Me mijëra të rinj, po ja mësyjnë Evropës përmes rrugëve ilegale për shkak të papunësisë së lartë dhe mungesës së perspektivës, pohoi deputetja Alma Lama.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës i ka fshehur shifrat deri tani, e ka fshehur edhe faktin se pikërisht kërkesat e larta për azil janë pengesa numër një në lidhje me procesin e liberalizmit dhe prandaj edhe përgjigja është negative prej kaq vitesh.
Qeveria e Kosovë, e zhytur në korrupsion, dhe shpërdoruese e parasë publike, nuk po arrin të krijojë perspektivë për qytetarët. Ndryshe nuk mund të shpjegohet emigrimi i dhjetëra mijë të rinjve, ndryshe nuk mund të shpjegohen përgjigjet negative që vijnë vazhdimisht nga Brukseli për sa iu përket liberalizimit të vizave, tha ajo.