20 Nëntor 2024

Rritet trendi i shkeljeve ligjore në tenderë

Prishtinë, 5 gusht - Lëvizja FOL në një konferencë të organizuar për media, ka publikuar raportin “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën prill- qershor 2013, i cili paraqet parregullsitë dhe shkeljet ligjore që institucionet kanë bërë gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në tenderë të ndryshëm.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL ka thënë së në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parregullsitë ligjore të evidentuara nga ana e OSHP-së, të ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.

Tora ka theksuar se trendi i shkeljeve dhe parregullsive ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik nga ana e Ministrive, Korporates Energjetike të Kosovës, Postë Telekomunikacionit dhe Komunave të Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në këtë periudhë kohore të këtij viti.

”Në periudhën Prill-Qershor, institucionet e lartë-përmendura kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 29 tenderë të ndryshëm. Nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit prej këtyre 29 tenderëve 14 janë kthyer në Ri-vlerësim, 7 janë kthyer në Ri-tenderim, 3 janë anuluar, kurse në 5 të tjerë është ndërhyrë në dosjen e tenderit”, theksoi ai.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, ministritë nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në 8 tenderë të ndryshëm, ku Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore në 4 aktivitete të ndryshme të prokurimit, kurse Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë si dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë në nga 1 tenderë.

Ndërmarrjet Publike si KEK dhe PTK kanë bërë shkelje ligjore në 9 aktivitete të ndryshme të prokurimit. KEK ka bërë shkelje ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në 5 aktivitete të prokurimit, kurse PTK ka bërë shkelje në 4 të tilla.

Ndërsa Komunat e Republikës së Kosovës nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në gjithsej 12 tenderë të ndryshëm. Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje në 4 tenderë, kurse Komuna e Gjilanit, Lipjanit, Parteshit, Prizrenit, Vitisë, Gjakovës, Mitrovicës dhe ajo e Pejës në nga 1 tenderë.

Duke pas parasysh nivelin e lartë të keqpërdorimeve dhe aferave korruptive, si dhe nivelin e ultë të transparencës së proceduarve të prokurimit publik, Kenan Tora më tej ka pohuar se “Lëvizja FOL ka rekomanduar fillimin e ndryshimeve në Ligjin e Prokurimit Publik, me qëllim që të përgatitet baza e mirëfilltë ligjore për funksionalizmin e prokurimit elektronik”.

Kjo, sipas përfaqësuesit të kësaj Lëvizje, “do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në zvogëlimin e mundësisë për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në këtë fushë.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)