Rritet niveli i optimizmit për ekonominë amerikane
Washington, 31 dhjetor - Optimizmi i konsumatorëve, një ndër treguesit më të rëndësishëm në mirëqënien e ekonomisë amerikane, ka shënuar rritje në muajin dhjetor, siç rezulton nga dy studime të sapo bëra publike.
Anketa e kompanisë Conference Board tregon se konsumatorët janë më optimistë për prirjet aktuale ekonomike dhe është ulur numri i atyre që e shohin si negative klimën aktuale të biznesit.
Një anketë tjetër, e zhvilluar nga organizata Gallup me 2500 konsumatorë, arrin në përfundimin se konsumatorët kanë rifituar nivelin e optimizmit që kishin para vitit 2008.
Këto rezultate dalin në një kohë kur kanë rënë çmimet e karburantit, ka pasur rritje ekonomike prej 5% në tre mujorin e tretë të vitit dhe ritmet e papunësisë kanë rënë në 5.8%.
Një studim tjetër tregon se çmimet e banesave janë rritur 4.5% gjatë periudhës një vjeçare që nga tetori 2013.