Rritet kostoja e banimit në San Fransisko
San Fransisko, 28 prill - San Fransiskoja është prekur nga çmimet e larta të shtëpive, si pasojë e rritjes së vrullshme ekonomike dhe zgjerimit të industrisë së teknologjisë së lartë. Rritja e çmimeve të strehimit është shtrirë edhe në periferitë e qytetit, por siç njofton Mike O\'Sullivan, për lagjen historike Chinatown kjo nuk është diçka e re.
Këta aktivistë të strehimit monitorojnë numrin e banorëve që detyrohen të largohen nga shtëpitë me qira.
Rritja e kostos së banimi shtrihet nga pjesët industriale të Oklandit deri në Silicon Valley në jug të Gjirit të San Fransiskos. Rritjen po e shkaktojnë kompanitë e teknologjisë së lartë.
\"Pronarët e shtëpive e dinë se njerëzit që punojnë në këtë industri mund të paguhen 3,000 ose 4,000 dollarë në muaj, prandaj çështja e strehimit të përballueshëm është lënë pas dore,\" thotë Erin McElroy, i Projektit Kundër Largimit të Detyruar.
Edhe rritja në nivel rekord e turizmit ka shtuar kërkesat për hapësira për hotele, shtëpi banimi dhe zyra.
Lagjia historike Chinatown prej një kohe të gjatë i ka rezistuar presionit. Kjo banesë për të moshuarit ishte në qendër të një debati të fortë në vitet 1970. Më pas, aktivistët punuan me bashkinë e qytetit për të zbatuar një plan që ndihmoi në ruajtjen e lagjes.
\"Chinatown ekziston edhe sot pasi është mbrojtur nga plani i vitit 1986 që ka kufizuar lartësinë e ndërtesave. Kufizimet e shumta të miratuara në vitin 1986 kanë shkurajuar kompanitë të ngrejnë ndërtesa të larta në këtë lagje\", shpjegon Malcolm Yeung që punon për Qendrën e Zhvillimit të Komunitetit në Chinatown.
Qyteti i Oaklandit kohët e fundit ndaloi rritjen e qirave për tre muaj, dhe aktivistët në San Francisco kërkojnë një moratorium të ngjashëm për të mbrojtur komunitetin në qytetin e tyre.
\"Ata që nuk kanë të ardhura të mira jetojnë në shtëpi të vjetra. Këta njerëz janë goditur më rëndë nga kriza e tanishme,\" thotë një aktivist për strehimin.
Por aktivistët e pranojnë se nuk ka zgjidhje të lehtë. Çmimet në Chinatown dhe lagje të tjera po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.