30 Prill 2024

Rritet kërkesa për konsumin e prodhimeve vendore

Prishtinë, 18 gusht - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka vizituar kompaninë ASK Foods, që merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, në Livoç të komunës së Gjilanit.

Gjatë vizitës, kryeministri Thaçi është njohur me zhvillimin e kësaj kompanie dhe për reflektimin që kanë shënuar masat e reciprocitete me Serbinë në sektorin e agrobiznesit kosovar.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit është rritur kërkesa për konsumin e prodhimeve vendore dhe agrobizneset kanë filluar t’i rrisin edhe kapacitetet e tyre prodhuese.

Kryeministri Thaçi u shpreh i inkurajuar nga rezultatet e kësaj kompanie, e cila vetëm brenda kësaj periudhe kohore ka rritur prodhimin për 36 për qind.

“Informatat që mora nga pronari i kompanisë për rritjen e prodhimtarisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit, më inkurajojnë se përpos zgjerimin të tregjeve, efekti i masave të reciprocitetit do të vërehet edhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Thaçi, duke ritheksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdoj t’i mbështes edhe më tej agrobizneset dhe bizneset e vendit.
 
Drejtuesit e kësaj kompanie janë shprehur mjaft të kënaqur me vendimin e Qeverisë për futjen e masave të reciprocitetet për prodhimet dhe mallrat e Serbisë. Kjo ka shtuar kërkesat në tregun vendor dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, rrjedhimisht edhe hapjen e vendeve te reja të punës në këtë kompani.

Kryeministri Thaçi është njohur edhe me linjat përpunuese të fabrikës së kësaj kompanie dhe ka vizituar hapësirat e prodhimit, dhe është njohur nga afër me punën dhe angazhimin e të punësuarve në këtë kompani për të furnizuar tregun kosovar me prodhime vendore dhe cilësore.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se kompania ASK Foods është një shembull i mirë i zhvillimit të agrobiznesit në Kosovë. Zhvillimi i këtij sektori ndikon drejtpërdrejt edhe me zhvillimin  e prodhimtarisë vendore.

“Ndihem mirë nga ajo që pashë dhe dëgjova në këtë fabrikë të përpunimit të prodhimeve vendore bujqësore” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar “gjithashtu ndihem mirë që masat dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës po ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë vendore. Me rritjen e prodhimtarisë, me rritjen e tregut do të rriten vendet e reja të punës dhe kjo do të ndikojë në rritjen e mirëqenies dhe standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë të qëndrojë afër biznesit kosovar dhe të gjejë mundësitë më të mira për subvencionimin e zhvillimit të tij.

“Sektori privat është çelësi i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe i rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se kjo situatë ka krijuar një mjedis të ri për agrobizneset vendore dhe si institucione do të mundohen ta përcjellin në të njëjtin hap trendin e zhvillimit të tyre.

“Ne kemi bërë skemat tona të granteve dhe subvencioneve në përkrahje të prodhuesve dhe komuniteti i agrobiznesit, sidomos ata të industrisë përpunuese kanë pasur mundësinë të përfitojnë edhe nga grantet e ndryshme të donatorëve. Kjo situatë e re, përveçse që ka ndikuar në rritjen e kërkesës për konsum dhe rritjen e prodhimtarisë vendore, krijon edhe mundësi të reja eksportuese për vendin tonë, si dhe detyrime shtesë edhe për ne si ministri, që t’i përcjellim të gjitha këto në hap me agrobizneset”, ka potencuar Stavileci, duke shtuar se është duke u përgatitur edhe një pako e re fiskale për bizneset dhe agrobizneset në përgjithësi.

Kompania “ASK Foods” ka në pronësi 185 hektarë tokë bujqësore dhe në plantacionet e saj kryesisht prodhon fruta të freskëta, të cilat duke filluar nga java e ardhshme do të filloj t’i eksportoj edhe në tregun e Kroacisë.

Ajo ka gjithsej 105 punëtorë të rregulltë dhe në fabrikën e saj të prodhimit, produktet e tyre i shesin edhe rreth 300 fermerë të kësaj ane.