Rritet eksporti i metaleve
Albulena S. Mavraj
Prishtinë, 22 nëntor - Kosova edhe këtë vit ka vazhduar të eksportojë metale. Zëdhënësi i Doganës të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruarse gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti është rritur eksporti i produkteve të metaleve.
Sipas tij, vlera e produkteve të metaleve të eksportuara gjatë periudhës janar-tetor kap shifrën prej 124 milionë eurosh, 24 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Vlera e eksporteve të metaleve gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti kap shifrën 124 milionë euro. Ndërsa gjatë vitit 2012 eksporteve të metaleve për të njëjtën periudhë ishte 100 milionë euro, kurse në total gjatë vitit 2012 kjo vlerë kishte shifrën e 127.8 milionë eurove, ka deklaruar Stavileci për gazetën Epokën e re
Ai ka treguar se eksporti i metaleve është kryesisht në Shqipëri me vlerë prej 56 milionë eurosh, në Maqedoni në vlerë prej 200 milionë eurosh dhe në Turqi 11 milionë euro.
Ukaj: Deri në fundvit pritet rritje e lartë e eksportit të metalit
Zyrtari për Informim në Ferronikel, Shpëtim Ukaj, ka deklaruar se produktet e Ferronikelit deri më tani kanë eksportuar rreth 6 mijë e 600 tonë metal dhe se deri në fund të vitit pritet një rritje më e lartë e eksportit krahasuar me vitin e kaluar.
Eksporti i Ferronikelit deri më tani është rreth 6 mijë e 600 tonë dhe duket se viti do të përmbyllet me rreth 7 500 ose 7 800 tonë, që është përafërsisht 9.5 për qind më shumë se vitin e kaluar sa i përket vëllimit, ka thënë Ukaj.
Kurse sa i përket vlerës monetare, Ukaj ka deklaruar se, pavarësisht rritjes së eksporteve për 9. 5 për qind më shumë, vlera monetare ka qenë më e ulët për shkak të rënies se çmimit të nikelit në LME (London Metal Exchange).
Eksporti është rritur me 9.5 për qind në aspektin e vëllimit, por në aspektin e vlerës është më pak krahasuar me vitin e kaluar për shkak të rënies së çmimit të nikelit në LME LME (London Metal Exchange). Andaj, rënia e çmimit të nikelit paraqet problem dhe sfidë për ne. Pas Nikelit ka dhe tepricë në tregun global, ka thënë Ukaj.
Kastrati: Ka mungesë të shkollave profesionale për ta ushtruar këtë veprimtari
Kryetari i Shoqatës së Metalopërpunuesve, Gani Kastrati, në lidhje me këtë temë ka thënë se problem të madh për zhvillimin e kësaj veprimtarie po paraqitet mungesa e politikave favorizuese fiskale si dhe mungesa e kuadrit profesional, sidomos mungesa e shkollave profesionale për të ushtruar këtë veprimtari.
Mungesa e kuadrit profesional dhe shkollave profesionale paraqet një problem shumë të madh për ne. Pasi nuk kemi punëtorë të kualifikuar për metalopërpunim, edhe po të dërgohen në trajnime për 5 apo 6 muaj prapë, nuk mjafton për të përvetësuar këtë profesion.Kështu që, ky është një problem i madh me të cilin përballemi, ka thënë Kastrati.
Ai ka deklaruar se numri i ndërmarrjeve që janë marrë me këtë veprimtari është në rënie e sipër.
Në kuadër të Shoqatës së Metalopërpunuesve janë 60 ndërmarrje, mirëpo numri i ndërmarrjeve që janë marrë me këtë veprimtari ka rënë shumë për arsye të moszhvillimit të kësaj veprimtarie, sepse ndërmarrjet e vogla janë mbyllur dhe janë shkrirë, ka thënë Kastrati.